Skip to content
Letër e Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Drejtësisë, Prof Dr. Hajredin Kuçi, drejtuar mediave

Letër e Zëvendëskryeministrit dhe Ministër i Drejtësisë, Prof Dr. Hajredin Kuçi, drejtuar mediave

Prishtinë, 01/05/2012

Të dashur miq të mediave,

Duke shprehur keqardhjen për shqetësimin tuaj lidhur me nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal dhe që një kod shumë modern ka rënë nën hijen e këtyre dy neneve, theksoj se kur kam nënshkruar heqjen e neneve 37 dhe 38 nga ky kod, e kam menduar këtë me bindje, pasi për mua rendi dhe ligji, mediat e lira dhe shoqëria civile, janë parametra të zhvillimit demokratik të vendit. 

Andaj, e ftoj Presidenten e Republikës së Kosovës që t’i kthej këto dy nene. Dhe nëse ajo nuk i kthen, unë do ta amandemantoj Projekt-Kodin pa këto dy nene dhe do ta dërgoj prapë në Kuvend, sepse për këtë ka kohë, ngase kodi nuk hynë në fuqi para 1 Janarit 2013. 

Po ashtu, me tërë autoritetin tim politik dhe njerëzor do të loboj në Kuvend që të hiqen këto dy neneve. Nëse Kuvendi nuk i amandemanton këto dy nene dhe Kodi hynë në fuqi me këto dy nene, kështu si janë sot, unë atë ditë do të jap dorëheqje nga pozita ime si Ministër i Drejtësisë dhe anëtar i Qeverisë, ngase nuk dua të jem personi që kufizon apo jep përshtypjen se kontribuon në kufizimin e lirisë dhe punës së mediave të lira dhe të pavarura, në funksion të interesit publik. 

Këtë e bëjë edhe si akt moral, ngase një kohë, gati dy vite, në fillim të viteve të 90-ta, kur mungonte edhe liria e Kosovës, unë si Kryeredaktor i gazetës “Bota e Re”, jam përpjekur për lirinë e mediave të vendit tim edhe nën okupim, ngase kam menduar se këto dyja shkojnë bashkë dhe kanë kuptim kur veprojnë njëkohësisht dhe të plota.

Me respekt, 
Prishtinë, 27 Prill 2012    
Prof. Dr. Hajredin Kuçi                            
Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë

Foto Galeria

Skip to content