Skip to content
Liderët e institucioneve theksojnë rëndësinë e fuqizimit të grave dhe luftës kundër dhunës me bazë gjinore

Liderët e institucioneve theksojnë rëndësinë e fuqizimit të grave dhe luftës kundër dhunës me bazë gjinore

Prishtinë, 09/12/2024

Kryetari i Kuvendit, z. Glauk Konjufca, në fjalimin e tij theksoi se është rritur ndjeshëm numri raportimeve të rasteve të dhunës në institucionet përkatëse.

“Jemi dëshmitarë se numri i rasteve të dhunës ndaj grave viteve të fundit është rritur, por po ashtu është rritur ndjeshëm edhe raportimi i rasteve të tilla në institucionet përkatëse. Kjo tregon se sa e rëndësishme është që çdo grua dhe vajze e cila përjeton dhunë të çfarëdo forme, ta denoncoj atë dhe të kërkoj ndihmën e institucioneve dhe ta marrin ndihmën që ato e meritojnë”, tha ai.

Përderisa, Ministrja e Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, nënvizoi përkushtimin e Ministrisë për luftën kundër dhunës ndaj grave dhe për promovimin e barazisë gjinore, duke prezantuar masat dhe politikat konkrete të ndërmarra deri më tani, ndër të cilat përfshihen:

• Miratimi i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe në baza Gjinore;

• Lansimi i Protokollit Shtetëror për Trajtimin e rasteve të Dhunimeve Seksuale;

• Miratimi i Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore;

• Zbatimi i Programit Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave.

“Dhunës me bazë gjinore i duhet dhënë fund përmes një përkushtimi të përbashkët institucional dhe shoqëror. Ky nuk është vetëm një detyrim ligjor, por një obligim moral dhe shoqëror për të siguruar një të ardhme të sigurt dhe të drejtë për vajzat dhe gratë në Kosovë,” tha ministrja Haxhiu.

Në pjesën e dytë të aktivitetit u mbajt paneli me temën “Roli i legjislativit në adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore”, i udhëhequr nga nënkryetarja e Kuvendit, znj. Saranda Bogujevci. Panelistët ndanë mendimet e tyre mbi sfidat dhe masat që duhet të ndërmerren për të rritur përfaqësimin e grave në pozita kyçe, duke theksuar nevojën për politika të qëndrueshme dhe edukim të vazhdueshëm mbi barazinë gjinore.

Fushata “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore” është një platformë globale që synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe mobilizimin për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave. Ky aktivitet shërben si një mundësi për të forcuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të promovuar rëndësinë e rolit të grave në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë.

Skip to content