Shkup, 10 dhjetor 2025
Zëvendësministri i Drejtësisë i Republikës së Kosovës, z. Vigan Qorrolli, i shoqëruar nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut z. Florian Qehaja dhe Shefi i Kabinetit z. Genc Nimoni, sot morën pjesë në Forumin Rajonal “Nga politika në ndikim: Përparimi i integritetit dhe reformave institucionale në Ballkanin Perëndimor”, të organizuar në Shkup nën patronatin e Zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Arben Fetai. Ngjarja u hap me pjesëmarrjen e Kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi, si dhe zyrtarë të lartë të drejtësisë dhe administratës publike të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, përfshirë UNOPS, dhe partnerëve të tjerë rajonalë.
Zëvendësministri Qorrolli prezantoi në panelin e parë me tematikën “Perspektivat rajonale: roli i mbështetjes së koordinuar rajonale dhe ndërkombëtare në forcimin e vlerave të qeverisjes së mirë”, ku prezantoi përvojën e Kosovës në avancimin e integritetit institucional, rritjen e transparencës dhe forcimin e sundimit të ligjit. Ai theksoi se lufta kundër korrupsionit mbetet një sfidë e përbashkët për vendet e rajonit dhe se asnjë shtet nuk ka kapacitetin ta përballojë i vetëm këtë dukuri të ndërlikuar. Prandaj, siç u shpreh ai, koordinimi i përhershëm ndërmjet qeverive, institucioneve ndërkombëtare, organizatave të shoqërisë civile dhe mediave hulumtuese është themelor për garantimin e qeverisjes së mirë dhe demokratike.
Në fjalën e tij, zëvendësministri Qorrolli, solli një panoramë të qartë të transformimeve që kanë ndodhur në Kosovë: nga miratimi i Pakos Ligjore Kundër Korrupsionit e deri te forcimi i kuadrit penal që ndalon mbajtjen në pozita të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Ai veçoi në mënyrë të veçantë Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, duke e përshkruar atë si një instrument që synon rikthimin e besimit publik përmes goditjes së drejtpërdrejtë të përfitimeve të paligjshme. Sipas tij, ky ligj është shembulli më i qartë i një politike publike që bazohet në rezultate konkrete. Më tej, ai e theksoi rregullimin e avancuar të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit dhe një sistem të ri rigoroz për deklarimin e pasurisë. Ai po ashtu nënvizoi rëndësinë e ndryshimeve në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, të cilat kanë ashpërsuar masat ndëshkuese dhe kanë krijuar mekanizma që parandalojnë mbajtjen në detyrë të zyrtarëve të akuzuar për korrupsion, duke ruajtur kështu integritetin e institucioneve publike.
Gjatë fjalës së tij, ai solli në vëmendje edhe rëndësinë e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë, si një instrument kyç për konfiskimin e pasurisë së pajustifikuar dhe si një politikë moderne që ndihmon në rivendosjen e besimit qytetar në sistemin e drejtësisë. Në vijim, Zëvendësministri Qorrolli foli mbi avancimin e procesit të Vetting-ut për drejtuesit e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, i cili synon t’i garantojë publikut se drejtësia administrohet nga profesionistë me integritet dhe të pavarur nga çdo ndikim i jashtëm.
Ai vuri theks të veçantë tek roli i digjitalizimit në forcimin e qeverisjes së mirë, duke përmendur platformën E-Kosova si shembull konkret të mënyrës se si teknologjia ka reduktuar hapësirat për korrupsion dhe ka rritur transparencën në shërbimet publike dhe gjyqësore. Në të njëjtën linjë, ai rikujtoi rëndësinë e Ligjit për Sinjalizim, i cili ka vendosur standarde të reja për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe ka fuqizuar rolin e qytetarëve në luftën kundër korrupsionit.
Zëvendësministri Qorrolli përmendi gjithashtu përmisimet e dukshme të Kosovës në vlerësimet ndërkombëtare, duke përfshirë ngritjen për 31 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, si dhe përparimin me 34 pozicione në Indeksin Global të Kriminalitetit, që e bën Kosovën vendin me nivelin më të ulët të kriminalitetit në rajon. Ai theksoi se këto rezultate pasqyrojnë angazhimin e institucioneve të Kosovës për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e sigurisë publike.
Në përmbyllje, Zëvendësministri i Drejtësisë theksoi përkushtimin e Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe vendet e rajonit, duke punuar drejt forcimit të mekanizmave të përbashkët për hetimin, ndihmën juridike ndërkufitare dhe luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai ritheksoi se vetëm përmes koordinimit të qëndrueshëm dhe një vizioni të përbashkët rajonal mund të ndërtohet një Ballkan Perëndimor më i drejtë, më i sigurt dhe më i zhvilluar.