Skip to content
Marrëveshje për transparencë më të madhe të institucioneve të drejtësisë

Marrëveshje për transparencë më të madhe të institucioneve të drejtësisë

Prishtinë, 05/09/2013

Qeveria e Kosovës, Ambasada norvegjeze, Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokuroria i Kosovës, sot kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi në lidhje me financimin dhe zbatimin e projektit të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) për gjykatat dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës.

Marrëveshja u nënshkrua nga  Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Ambasadori i Norvegjisë Jan Braathu Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe Kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi.

Përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshje përcaktohen përgjegjësitë e të gjitha palëve që dalin në realizimin e projektit, objektivi i përgjithshëm i të cilit është që të krijoj bazën për një sistem më efikas, transparent dhe llogaridhënës të gjyqësorit në Kosovë përmes zbatimit të teknologjisë së informimit dhe  komunikimit (TIK).

Projekti synon që në afatin katër vjeçar të bëjë automatizimin e procesit të punës në gjykata dhe prokurori në tërë vendin, duke mundësuar edhe shkëmbimin e të dhënave në mes gjykatave dhe prokurorive, si dhe institucioneve tjera.

Financimi kryesor i projektit do të bëhet nga Qeverisë e Mbretërisë Norvegjeze me rreth 6.6 milion euro dhe bashkëfinancimi i KGJK-së dhe KPK-së me rreth 1.5 milion euro. Me këto mjete do të mbulohen shpenzimet e duhura për infrastrukturë në fushën e TIK-ut dhe resurse njerëzore të nevojshme për realizimin e projektit dhe zbatimin e tij si nga gjykatat ashtu edhe për prokuroritë e vendit. 

Foto Galeria

Skip to content