Sot është mbajtur ceremonia e betimit të 168 ekspertëve gjyqësorë, të cilët do të kontribuojnë në ndërtimin e një sistemi më të qartë, më profesional dhe më të besueshëm të ekspertizës gjyqësore.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, u shpreh se ky është një moment i rëndësishëm jo vetëm për ta dhe për familjet e tyre, por edhe për sistemin e drejtësisë në vend.
Para ekspertëve të rinj gjyqësorë, Ministrja tha se me rastin e certifikimit merret një përgjegjësi publike, për të qenë të saktë, të paanshëm dhe të ndershëm, duke ruajtur integritetin në vlerësimet e tyre profesionale.
“Sot, me këtë certifikim, ne riafirmojmë besimin se ju do të jeni partnerë të rëndësishëm të drejtësisë dhe kontribues aktivë në forcimin e sundimit te ligjit në vendin tonë”, u shpreh Ministrja.
Në anën tjetër, ajo nënvizoi përkushtimin për përmirësimin dhe plotësimin edhe më tej të kornizës ligjore dhe institucionale që lidhet me Ligjin për Ekspertët Gjyqësorë.
“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballen ekspertët gjyqësorë. Për këtë arsye, angazhimi ynë institucional është që të forcojmë rolin e tyre, të mbrojmë integritetin profesional dhe të krijojmë kushte që puna e tyre të vlerësohet dhe respektohet ashtu siç e meriton”, deklaroi tutje.
Në fund, Ministrja Gërvalla i uroi ekspertët e rinj gjyqësorë në ushtrimin e detyrës, duke i inkurajuar që puna e tyre të jetë gjithmonë e udhëhequr nga e vërteta profesionale, nga etika dhe nga përgjegjësia ndaj shoqërisë.