Sot është mbajtur ceremonia e betimit të 56 ekspertëve gjyqësorë të rinj, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm jo vetëm për ekspertët gjyqësorë, por edhe për sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës.
Duke i përgëzuar ekspertët e rinj gjyqësorë për përkushtimin dhe angazhimin e tyre, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, u shpreh se me licencimin e tyre, sistemi ynë i drejtësisë fiton profesionistë të rinj, të gatshëm të vënë dijen dhe ekspertizën e tyre në shërbim të drejtësisë.
“Roli i ekspertit gjyqësor është i pazëvendësueshëm. Në shumë raste, pikërisht vlerësimi profesional i ekspertit ndihmon në zbardhjen e fakteve dhe në marrjen e vendimeve të drejta. Prandaj, detyra që merrni sot është njëkohësisht nder dhe përgjegjësi”, tha Ministrja Gërvalla.
Ajo shtoi se nga ta pritet integritet, paanshmëri dhe profesionalizëm në çdo raport dhe vlerësim që do të hartojnë, vlera mbi të cilat ndërtohet besueshmëria e ekspertizës gjyqësore.
“Jam e bindur se do ta ushtroni këtë funksion me përgjegjësi të lartë dhe se do të jeni mbështetje e rëndësishme për institucionet e drejtësisë dhe për qytetarët”, tha ajo.
Pas dhënies së betimit të ekspertëve gjyqësorë, Ministrja Gërvalla iu uroi suksese në rrugëtimin profesional, dhe që puna e tyre të karakterizohet gjithmonë nga objektiviteti, përgjegjësia dhe përkushtimi ndaj së vërtetës.