
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka marrë pjesë në forumin e 6-të ndër-sektorial të Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK): “Procesi i rehabilitimit të të burgosurve ekstremistë të dhunshëm dhe të radikalizuar në SHKK dhe përgatitja për reintegrimin e tyre në shoqëri”
Zëvendësministri Sallahu, derisa ka folur për radikalizmin si një nga fenomenet sfiduese të shoqërisë, theksoi se është detyrë e institucioneve që të veprojnë me përgjegjshmëri dhe të marrin masat adekuate për trajtimin e tij, për ta mposhtur atë pa i dhënë mundësi të bëjë dëme të mëdha.
Në Republikën e Kosovës, tha Sallahu, në raport me radikalizmin janë iniciuar dhjetëra veprime konkrete për ta kuruar këtë valë të rrezikshme që po përhapej në vend.
“Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues, në bashkëpunim dhe me mbështetje të ICITAP-it, kanë lansuar një program të gjerë të trajnimit të stafit adekuat për kategorinë e personave të radikalizuar dhe të ekspozuar nga ekstremizmi i dhunshëm, nismë kjo që ka kontribuar ndjeshëm dhe konkretisht në trajtimin e përshtatshëm ndaj personave të përballur me radikalizëm” tha Sallahu.
Sallahu shtoi se Ministria e Drejtësisë është duke bërë rishikimin dhe përditësimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekstremizmit e cila do të përshtatet me rrethanat e nevojat e kohës.
Për më tepër, tha ai, nga ICITAP është përkrahur edhe funksionimi i Njësisë së Inteligjencës në kuadër të ShKK-së, dhe falë rezultateve të saj pozitive sa i përket identifikimit të hershëm të rrezikut, kjo Njësi do të formalizohet si institucion i paraparë ligjërisht përmes ndryshimeve që tanimë janë proceduar në Kuvend.
Zëvendësministri Sallahu ka vlerësuar mbështetjen që Këshilli i Evropës ka ofruar përmes projektit disavjeçar të trajtimit të avancuar për personat e prekur nga radikalizmi, dhe njëherit ka falënderuar të gjithë partnerët të cilët përmes programeve të tyre kanë arritur të kenë impakt në nivel të konsiderueshëm për këtë kategori, duke i deradikalizuar përmes rehabilitimit dhe duke i riintegruar përsëri në shoqëri këta persona.