Skip to content
Mbahet Panairi i Ndihmës Juridike Falas, Ministrja Gërvalla: Qasje e barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët

Mbahet Panairi i Ndihmës Juridike Falas, Ministrja Gërvalla: Qasje e barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët

Prishtinë, 19/06/2026
Në kuadër të Javës së Ndihmës Juridike Falas, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, mori pjesë në Panairin e Ndihmës Juridike Falas, aktivitet ky i cili kishte për qëllim afrimin e qytetarëve me informacionin dhe shërbimet juridike falas.
Duke vlerësuar rëndësinë e ofrimit të shërbimeve juridike falas sa më afër qytetarëve, Ministrja Gërvalla, tha se përmes aktiviteteve si Panairi i Ndihmës Juridike Falas, qytetarët informohen drejtpërdrejt për të drejtat dhe shërbimet që u takojnë, duke e bërë drejtësinë më të afërt dhe më të arritshme për të gjithë.
“Synimi ynë është t’i informojmë qytetarët edhe më shumë për mundësitë që kanë, sepse jo gjithkund dhe jo në çdo cep të Kosovës dihet se, kur ke nevojë për ndihmë juridike, atë mund ta marrësh edhe falas. E dimë se nuk është puna më e lehtë, pasi ju punoni me kategoritë më të cenueshme të shoqërisë sonë, mirëpo pikërisht për këtë puna dhe angazhimi juaj janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha ministrja Gërvalla.
Gjatë panairit, qytetarët patën mundësinë të informohen dhe të marrin këshilla juridike falas nga Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe organizatat partnere, përfshirë Institutin e Kosovës për Drejtësi, Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Social Housing and Property Rights in Kosovo (SHPRK), Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal si dhe Programin për të Drejtat Civile në Kosovë.
Gjithashtu, Zyra Mobile Lëvizëse e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas ishte në dispozicion të qytetarëve për ofrimin e këshillave juridike dhe referimin e rasteve për trajtim të mëtejmë profesional në zyrat rajonale.
Skip to content