
Gjatë kësaj punëtorie, zëvendësministri Sallahu tha se Draft-Kodi i Procedurës Civile është vepër me karakter të rëndësisë së veçantë për faktin se ekzekuton dispozita materiale në ligje përkatëse përmes së cilave realizohen të drejtat subjektive të palëve në procedurë.
“Pra Kode të tilla shtrojnë rrugën përmes së cilave vihet në lëvizje gjykata për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me karakter civil, në njërën anë, si dhe përmbushen të drejtat dhe detyra e palëve në anën tjetër”, tha Sallahu.
Zëvendësministri Sallahu tha se kodizimi i fushës civile do të rris dukshëm efikasitetin dhe efiktivitetin e zgjidhjes së lëndëve me karakter civil në Republikën e Kosovës dhe sipas tij “Ministria e Drejtësisë nuk do të mungojë në asnjë rrethanë, për asnjë iniciative ligjore që ka për qëllim lehtësimin e qasjes së qytetarëve në sistemin e drejtësisë të ndërlidhur me kthimin e besimit të qytetarëve në po këtë sistem”.
Të pranishëm në këtë punëtori ishin edhe kryesuesi i Këshillit Gjyqësorë, gjyqtarët e fushës civile, ekspertë, si dhe përfaqësues nga projekti EUKOJUST për çka zëvendësministri Sallahu i falënderoi për bashkëpunimin e tyre në hartimin e Draft-Kodit të Procedurës Civile.
Ky draft-kod, derivon nga obligimet e dala nga koncept -dokumenti i Kodit të Procedurës Civile i cili është miratuar në Qeverinë e Kosova pas finalizimit të Kodit Civil.