Skip to content
Mbahet takim ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe delegacionit nga Mbretëria e Bashkuar, diskutohet lidhur me konfiskimin e pasurisë pa dënim penal

Mbahet takim ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe delegacionit nga Mbretëria e Bashkuar, diskutohet lidhur me konfiskimin e pasurisë pa dënim penal

Prishtinë, 21/09/2026
Sot, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë, z. Ridvan Hoti, Sekretar i Përgjithshëm dhe z. Lulzim Beqiri, Drejtor i Departamentit Ligjor, zhvilluan takim me zyrtarë nga Mbretëria e Bashkuar, përkatësisht znj. Jaz Craston, Koordinatore për Krimin e rëndë dhe të organizuar, z. Christopher Toyn, përfaqësues për çështjet e financave të paligjshme dhe kundër korrupsionit për vende të rajonit, si dhe znj. Altina Besimi, Zyrtare për Zbatimin e Politikave, nga Ambasada Britanike në Prishtinë.
Në fokus të takimit ishte konfiskimi i pasurisë pa dënim penal (non-conviction based confiscation) dhe roli i ardhshëm i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Përfaqësuesit e Ministrisë prezantuan zhvillimet në kornizën ligjore për këtë fushë, përfshirë procesin e hartimit të Projektligjit në fjalë dhe çështjet që lidhen me funksionalizimin e ardhshëm të Byrosë.
Gjatë diskutimit, u trajtua veçanërisht raporti ndërmjet konfiskimit civil dhe procedurave penale, roli i gjykatave në vendimmarrjen për konfiskim, standardi i provës, bashkëpunimi ndërinstitucional, hetimet financiare dhe gjurmimi i pasurisë.
Palët shkëmbyen gjithashtu pikëpamje lidhur me përvojën e Mbretërisë së Bashkuar në këtë fushë dhe mundësitë për bashkëpunim dhe mbështetje të mëtejshme profesionale në procesin e funksionalizimit të këtij mekanizmi në Kosovë.

Foto Galeria

Skip to content