
Sot, u mbajt takimi i radhës i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit, i cili u bashkëkryesua nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Shefi i EULEX-it në Kosovë, Bernd Borchardt dhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar, ndërsa kanë marrë pjesë edhe Ministrja e Integrimeve Europiane, Vlora Çitaku, Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Drejtori i Policisë së Kosovës dhe krerët tjerë të institucioneve të drejtësisë.
Në këtë takim u diskutua rreth të arriturave të përcaktuara sipas marrëveshjes se kompaktit.
Pas takimit, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se është diskutuar për përmirësimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës, ku edhe është shprehur angazhimi i përbashkët në fushat e caktuara për drejtësi, polici dhe dogana.
Kuçi tha se ka angazhime të përbashkëta, shkrirje të prioriteteve, në veçanti në veçanti në implementimin e marrëveshjes se kompaktit, i cili ndihmon në bashkërendimin e aktiviteteve në fushën e rendit dhe ligjit dhe kështu ndihmon në procesin e integrimeve në Union Evropian, në veçanti procesin e liberalizimit të vizave dhe në atë të stabilizim asociimit.
Zëvendëskryeministri theksoi se tani që janë plotësuar kriteret afatshkurta të raportit për liberalizimin e vizave dhe kjo është çmuar lartë nga institucionet e Bashkimit Europian në Kosovë, ai shprehi se kjo mundëson bashkëpunimin më të thellë me Komisionin Evropian, Zyrën e BE-së në Kosovë dhe EULEX-in, për përmirësimin e
rendit dhe ligjit, si dhe në të gjitha fushat tjera.
Lidhur me ngacmimin publik që po bëhet ndaj prokurorëve edhe gjyqtarëve , Kuçi dënoi këtë dukuri të “linçimit” publik të tyre për arsye që janë krejtësisht jo profesionale dhe pengojnë punën e tyre. Ai bëri ftesë për autoritetet prokuroriale që sipas ligjit të hetojnë këto rastet sa më parë që është e mundur dhe të shikohet nëse është shkaktuar ndonjë vepër penale e pengimit të personit zyrtar (prokurorëve) përmes ngacmimeve publike të padrejta në media.
Edhe Borchardt tha se gjykatësit dhe prokuroret duhet të punojnë pa frikë dhe pa ndonjë denigrim të pajustifikuar sepse kjo është çështje shumë e rëndësishme.
Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt shtoi: “Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën dhe përmirësimin e sundimit të ligjit. Së bashku kemi bërë përparim, megjithatë ende mbetet punë për t’u bërë. Siç e kam thënë më parë, ne të gjithë kemi përgjegjësitë tona këtu, dhe EULEX-i nga ana e vet do të përqendrohet në rritjen e aktiviteteve të përbashkëta ekzekutive dhe të fuqizimit. Kjo pasqyron partneritetin tonë, ndërton kapacitetet dhe mbështet tërheqjen tonë graduale”.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar tha: “Takimi i Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit është konfirmuar edhe një herë si mekanizëm i partneritetit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian. Lidhur me sundimin e ligjit mendoj se në çdo takim që kemi, e konfirmojmë se ky është thelbi i dialogut, thelb i vlerësimit të arriturave dhe progresit. Ky është gjithashtu vendi ku diskutojmë për aktivitetet e ardhshme lidhur me sundimin e ligjit dhe në këtë mënyrë mendoj se ky mekanizëm është duke u përmirësuar si një element i rëndësishëm për Kosovën dhe Bashkimin Europian.