Nën kryesimin e Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, u mbajt takimi i dytë i Dialogut të Strukturuar për Rend dhe Ligj.
Me këtë rast, Zëvendëskryeministri Kuçi tha: “Është kënaqësi e imja t’ju mirëpres sot në Prishtinë për takimin e dytë të Dialogut të Strukturuar. Pas takimit tonë të përbashkët në çështjen e liberalizimit të vizave, mirëpres idenë që çështja e sundimit të ligjit të diskutohet më thellësisht në këtë takim, jo vetëm si prioritet i Qeverisë dhe institucioneve tjera në Kosovë por edhe si sfidë me rëndësi të veçantë.
Gjatë vitit që shkoi, e posaçërisht në pjesën e dytë të tij, Qeveria e Republikës së Kosovës është fokusuar në krijimin e shumë politikave apo përmirësimin e atyre ekzistuese, sidomos në fushën e luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Arritja e nivelit më të kënaqshëm të sundimit të ligjit do të ishte më e lehtë sikur të gjithë mekanizmat që i kemi krijuar së voni do të kishin qenë funksionale qysh më parë. Megjithatë, për t’u siguruar që lufta jonë e përbashkët drejt sundimit të ligjit do të jetë e suksesshme, gjatë vitit që shkoi punuam shumë për të krijuar politika të qëndrueshme dhe mekanizma që do të mundësojnë këtë gjatë këtij viti që kemi përpara.
Ndonëse krijimi i politikave do të vazhdojë edhe në të ardhmen për shkak të nevojës për të përcjellë dinamikën e shoqërisë tonë, megjithatë ky vit në vizionin e Qeverisë së Kosovës do të jetë vit i implementimit të politikave, vit i reflektimit të rezultateve.
Sot do të diskutohen çështje dhe dimensione të ndryshme të sundimit të ligjit në Kosovë. Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm që sundimi i ligjit në Kosovë nuk është në nivelin që ne e duam, por nuk duhet lënë pa u përmendur puna e madhe që po bëhet në këtë drejtim.
Ne i kemi orientuar energjitë tona në përmbushjen e kritereve të studimit të fizibilitetit, jo vetëm për të arritur më afër drejt integrimit evropian, por për të përmirësuar jetën tonë, të qytetarëve tanë, të fëmijëve tanë. Pikërisht kjo është arsyeja pse i gjithë ky proces ka rëndësi të lartë.
Kjo është pika ku kryqëzohen rrugët dhe puna jonë- puna e dy partnerëve drejt një caku të përbashkët. Dhe pikërisht për këtë partneriteti duhet të jetë i ngushtë, i besueshëm dhe i barabartë.
Të kthehem tek njëra nga fushat më të ndiheshe- lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në luftën tonë kundër korrupsionit siç e dini është bërë shumë në krijimin e politikave të reja. Kodi i ri penal dhe ai procedurës penale, të cilët i kemi prezantuar në sesionin e parë të këtij dialogu, kanë ashpërsuar dukshëm luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Që nga një janari, po presim që të fillojmë t’i shohim këto dy kode të japin frytet e tyre.
Ndonëse këto kode nuk e kanë pasur tranzicionin e tillë të cilin e kemi dëshiruar, dhe për këtë do të flasim sot, besoj që me punën tonë të përbashkët do të mund të sigurojmë që në kohë të shkurtër gjykatat dhe prokuroritë të jenë krejtësisht të adaptuara me sistemin dhe ligjet e reja.
Siç keni dëgjuar, dje janë miratuar edhe strategjia kundër korrupsionit dhe Ligji për Konfiskimin e Pasurisë si dhe Ligji për shpëlarjen e parasë (pa nenin kontrovers 3) dhe e gjithë kjo tashmë përbën një pako të re ligjesh e cila sjellë risi dhe mbi të gjitha i sjellë sistemit tonë të drejtësisë mjetet më të fuqishme që i kanë pasur ndonjëherë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Për më tepër kjo shënoj edhe përmbushjen e kritereve afatshkurtra në kuadër të procesit të liberalizimit të vizave.
Shumë përkrahës të gjyqësorit kosovar dhe përfshirë edhe vetë gjyqësorin tashmë janë duke trajnuar gjyqtarët dhe prokurorët për të mundësuar një tranzicion sa më të lehtë edhe në strukturën e re të gjyqësorit por edhe tranzicionin e kodeve dhe ligjeve të tjera të reja.
Disa nga sfidat më konkrete të gjyqësorit dhe prokurorisë në praktikë do t’i dëgjoni në bllokun e ardhshëm nga vetë krerët e këtij pushteti. Megjithatë, duhet cekur që është bërë një punë e madhe në të gjitha rrafshet prej takimit tonë të fundit, dhe pikërisht prezantimi i statistikave nga kjo degë e pushtetit sot do t’ua dëshmojë këtë.
Kur jemi tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duhet përmendur edhe punën që Ministria e Financave është duke bërë në luftimin e krimit financiar, siç është amandamentimi Ligjit për parandalimin e financimit të terrorizmit dhe shpëlarjes së parave, por edhe Strategjinë Kombëtare dhe Planin e Veprimit kundër Krimit Ekonomik. Ndonëse do të dëgjojmë më detajisht gjatë takimit në lidhje me hapat e tyre konkretë, është me rëndësi të dihet nisma e tyre për të përcjellë rastet e shpëlarjes së parave qysh nga inicimi i procedurës deri në përfundim të saj. Një mekanizëm përcjellës i këtillë për rastet e ndjeshme do të ndihmojë edhe në ngritjen e vetëdijes së prokurorëve dhe gjyqtarëve të të gjitha niveleve në lidhje me konfiskimin e aseteve dhe shpëlarjen e parave, dhe prandaj duhet nënvizuar puna e tyre. Në kuadër të Reformës së Administratës Publike, duhet përmendur planet e integritetit që tashmë kanë filluar përpilimin dhe zbatimin e tre në shumë institucione.
Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar në rrafshin ndërkombëtar, Ministria e Drejtësisë ka bërë shumë për të bashkëpunuar me vendet e ndryshme. Kemi bërë më shumë se 20 ekstradime vetëm gjatë periudhave të fundit, mbi 100 kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike, në të cilat rreth 80% janë raste të krimit të organizuar. Duhet cekur se Kosova ka shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit të pakusht madje edhe me vendet që nuk na kanë njohur akoma, përfshirë këtu Sllovakinë e Greqinë, me të cilat kemi ekstraduar personalitete të rëndësishme të kërkuar ndërkombëtarisht.
Pikërisht kjo nevojë e bashkëpunimit dhe gatishmëria jonë për të luftuar krimin ndër-kufitar, na ka shtytë neve si Ministri e Drejtësisë që të insistojmë në lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare në fushën e bashkëpunimit juridik. Kemi negociuar dhe përfunduar marrëveshjet me Gjermaninë, Italinë, Malin e Zi, Kroacinë. Duhet theksuar gjithashtu që Kosova ka negociuar një marrëveshje teknike me Serbinë në ndihmën e ndërsjellë juridike. Dhe ndonëse Kosova ka treguar gatishmërinë e saj dhe ka nënshkruar marrëveshjen, të njëjtën gatishmëri akoma po e presim nga Serbia, e cila nuk e ka nënshkruar akoma marrëveshjen të cilën e kemi negociuar bashkë.
Më gjerësisht për çështjen e bashkëpunim rajonal në rrafshin e operacioneve dhe prezantimin e të dhënave konkrete, do të diskutojë Ministri Rexhepi.
Për fund, më duhet të shtoj se ne jemi gjithashtu duke amandamentuar një sërë ligjesh të cilat synojmë t’i përafrojmë akoma më tepër me legjislacionin e BE-së, përfshirë këtu edhe Ligjin për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, përmes së cilit na është kërkuar që të inkorporojmë një sërë direktivash të BE-së.
Në kuadër të këtyre përpjekjeve tona tjera për të sjellë një barazi qytetare, ne kemi propozuar futjen e Amnistisë si kompetencë kushtetuese e Kuvendit të Kosovës. Kjo tashmë është lejuar nga Gjykata Kushtetuese dhe presim rikonfirmimin e saj, ndërkohë që jemi duke punuar në një draft të Ligjit për Amnisti. Ndonëse po i presim akoma komentet e para zyrtare nga BE-ja, përfshirë këtu EULEX-in, dua t’ju siguroj, ashtu siç e kam bërë të qartë tash e disa herë, që mundësitë e keqpërdorimit me këtë ligj janë inekzistente.
Amendamenti ynë i propozuar Kushtetues kërkon që ligji për Amnistinë të miratohet vetëm me 2/3 të votave të të gjithë deputetëve. Prandaj, do të nevojitet një konsensus i përgjithshëm shoqëror për të amnistuar çfarëdo kategorie të kryesve të krimit. Ky ligj që ne e kemi propozuar, përjashton nga amnistia shumë kategori të krimeve, përfshirë këtu krimet kundër të drejtës ndërkombëtare, krimet e luftës, korrupsionin dhe krimin e organizuar si dhe krimet kundër integritetit seksual. Unë mirëpres komentet konkrete të BE-së, qoftë përmes zyrës së EULEX-it apo zyrës së BE-së këtu për të arritur deri te një produkt final të cilin mund ta shtyejm përpara pa u vonuar.
Unë mirëpres diskutimin e sotëm që të bëhet sa më konkret dhe mbi të gjitha të bëhet në frymë bashkëpunuese. Disa çështje me rëndësi do t’i cekë më vonë, dhe ndërkohë do të mirëpres edhe komentet dhe diskutimet e të gjithëve”.
Me tej, lidhur me bashkëpunimin me EULEX-in, Zëvendëskryeministri Kuçi tha: “Shumica e gjërave të rëndësishme për çështjen e bashkëpunimit me EULEX-in tashmë u thanë. Megjithatë, janë disa elemente të cilat kohëve të fundit e kanë karakterizuar bashkëpunimin në mes nesh.
Është e rëndësishme ta ndaj këtë bashkëpunim në dy rrafshe: në bashkëpunimin tonë të përditshëm koordinues me EULEX-in dhe pastaj bashkëpunimin tonë me EULEX-in në çështje më madhore – të cilat kërkojnë koordinim me Brukselin. Më duhet të cekë që ndonëse në rrafshin e parë, bashkëpunimi ynë është tejet i mirë, e shpesh herë i shkëlqyeshëm. Megjithatë, në rrafshin e dytë, ka hapësirë për përmirësime.
Disa nga elementet që kanë karakterizuar bashkëpunim tonë janë fillimisht lufta jonë shumë e madhe për të vazhduar mandatin e EULEX-it pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur. Me të gjitha forcat tona shtytëse, i dhënë autorizime shtetërore EULEX-it, edhe përkundër pakënaqësisë publike me komunitetin ndërkombëtar dhe thirrjet e tyre për pavarësi të plotë nga prezenca ndërkombëtare, e veçanërisht në diçka kaq të ndjeshme siç është përndjekja penale dhe gjykimet.
Pastaj, nënshkrimi i Kompaktit ishte edhe një ripërtrirje e përkushtimit tonë për të krijuar një kornizë të konsoliduar për objektivat tona të përbashkëta për të avancuar në punën tonë të përbashkët drejt integrimit evropian, liberalizimit të vizave, negocimit për MSA. Nënshkrimi i përbashkët i këtij dokumenti është edhe një rikujtim më tepër të tria palët nënshkruese për obligimet që ato kanë marrë mbi vete. Prandaj edhe dështimi i përmbushjes së ndonjërit qëllim është dështim i përbashkët, dhe këtë nuk e duam asnjëri.
Çështje e nevojës për tranzicion në përgjithësi është tentuar të diskutohet disa herë me të gjithë përfaqësuesit e BE-së në Kosovë. Sipas qëndrimit tonë, kapacitetet e prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë nuk janë aq të limituara sa të mos lejohen që të punojnë me shumë raste të ndjeshme. Për më tepër mendoj që mënyra më e mirë se si gjyqtarët dhe prokurorët tanë do të mund t’i zhvillojnë kapacitetet e tyre është pikërisht duke punuar në raste konkrete.
Unë e kam ndjerë nevojën për të vepruar në momentin kur kam parë që efikasiteti i Prokurorisë Speciale është duke shkuar vazhdimisht në rënie, dhe kur vetë prokurorët më janë ofruar për të kërkuar një lloj ndihme meqë janë të tej-ngarkuar me raste të cilat nuk janë edhe aq të rëndësishme. Si rezultat i kësaj, kemi arritur tek një mendim i përbashkët mes meje dhe prokurorisë që të shkurtohen kompetencat dytësore meqë ato sipas tyre janë shkaktari kryesor i tejngarkimit të kësaj prokurorie.
Qëllimi i të gjitha propozimeve tona ka qenë që të forcohet kjo Prokurori, të bëhet më funksionale dhe të ngritën kapacitetet e prokurorëve të saj, krahas rritjes së numrit të prokurorëve gjithashtu.
Duhet të qartësoj edhe një herë këtu para jush sot që qëllimi ynë asnjëherë nuk ka qenë që të dobësohet apo kufizohet kjo prokurori. Gjithashtu nuk kemi pasur asnjëherë qëllim që të bëjmë këtë transformim pa konsultimin dhe pajtimin paraprak me BE-në.
Gjithashtu, duhet mbajtur në mend që transizioni në këtë prokurori është më se i rëndësishëm, pasi që nevoja për ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve të kësaj prokurorie është vitale.
Bashkëpunimi ynë i përditshëm në nivelet opracionale veçanërisht në bashkëpunim juridik ndërkombëtar, doganat, IBM, në gjyqësor e prokurori në rastet konkrete duhet të ilustrojnë e dëshmojnë frymën e mirë në të cilën me të vërtetë bashkëpunohet.
Ne e çmojmë shumë punën që EULEX-i po bën në Kosovë dhe resurset që ata i kanë dedikuar përmirësimit të sundimit të ligjit në vendin tonë. Ndonëse ka nevojë për përmirësim në unifikimin e politikave që vijnë nga Brukseli, duhet thënë që në praktikë bashkëpunimi është shumë më i mirë sesa që shpesh po proklamohet në dokumente”.