Skip to content
Mbahet takimi i Grupit Punues të Ministrisë së Drejtësisë për hartimin e dy projektligjeve atë për Agjencinë Kundër Korrupsion si dhe për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë

Mbahet takimi i Grupit Punues të Ministrisë së Drejtësisë për hartimin e dy projektligjeve atë për Agjencinë Kundër Korrupsion si dhe për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë

Prishtinë, 14/08/2020

Në takim është diskutuar që  gjatë hartimit dhe finalizimit të këtyre projektligjeve të adresohen sfidat që janë hasur gjatë zbatimit të ligjeve ekzistuese, por edhe përfshirja e dispozitave të reja, që janë të rekomanduara nga mekanizma dhe raporte të ndryshme qofshin këto organizata vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe rekomandimet e procesit të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.
 
Grupi punues diskutoi kryesisht për Projektligjin për Agjencinë Kundër Korrupsion, me ç’ rast grupi u pajtua që roli i Agjencisë Kundër Korrupsion duhet të fokusohet kryesisht në aspekt të parandalimit të korrupsionit, si dhe në kryerjen e përgjegjësive tjera që janë të parapara me ligje specifike.
 
Një përcaktim i tillë do të qartësonte përgjegjësinë që Agjencia Kundër Korrupsion do të fokusohet në parandalim të korrupsionit, kurse Prokurori i Shtetit dhe gjykatat në drejtim të hetimit dhe ndëshkimit të dukurive të tilla.
 
E në drejtim të parandalimit të korrupsionit grupi, diskutoj dhe u pajtua që të përcaktohet me ligj që Agjencia Kundër Korrupsion të përfshihet në proces të hartimit të legjislacionit, qoftë atij primar apo sekondar, duke i vlerësuar projekt-aktet me qellim të identifikimit të hapësirave që mundësojnë keqpërdorim apo korrupsion.
 

Në takimin i cili është drejtuar nga Drejtori i Departamentit Ligjor të Ministrisë së Drejtësisë dhe njëherit kryesues i grupit punues, Ardian Bajraktari, morën pjesë edhe përfaqësues nga Agjencia Kundër Korrupsion, përfaqësues nga sistemi prokurorial, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Zyra e BE-së, UNDP, Projekti i përbashkët i Komisionit Evropian dhe Këshillit të Evropës PECK, si dhe përfaqësues nga Shoqëria Civile.

Ministria e Drejtësisë, projektligjet e hartuara nga grupi punues do t'i procedoj për konsultime, fillimisht paraprake dhe më pas me publikun, për t’u siguruar se procesi i hartimit dhe finalizimit të këtyre projektligjeve të jetë sa më gjithëpërfshirës dhe transparent.

Foto Galeria

Skip to content