Të pranishëm në këtë grup punues ishin edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Blerim Gashani, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, zëvendësministri i MASHT, Arsim Ademi, përfaqësues nga KPK, përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit, Policia e Kosovës, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Agjencia e Punësimit të Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Monumenteve dhe Komplekseve Memoriale, si dhe zyrtarë nga Ministria e Drejtësisë.
Në fjalën e tij hyrëse, zëvendësministri Qorrolli tha se Qeveria e Republikës së Kosovës për herë të parë ka nxjerrë Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale e cila është miratuar me 13 qershor të këtij viti dhe e cila parasheh, objektivat dhe planin e veprimit në periudhën 10 vjeçare (2024-2034).
“Kjo Strategji është një hap fundamental që e pasqyron zotimin e palëkundur të Qeverisë sonë, për ta respektuar sundimin e ligjit dhe për t’i adresuar shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut që kanë ndodhur në Kosovë në periudhën 1989-2000”, tha zëvendësministri Qorrolli.
Tutje, z. Qorrolli tha se Drejtësia Tranzicionale nuk është një formë e veçantë e drejtësisë, por drejtësi e përshtatur për shoqëritë që transformohen pas një abuzimi të madh me të drejtat e njeriut, siç është edhe shoqëria jonë.
Pas shumë diskutimeve mbi objektivat të kësaj Strategjie, koordinimin dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, anëtarët e Grupit Punues Ndërministror – u dakorduan për caktimin e takimeve të rregullta dhe shtimin e dinamikës së punës së tij.
Strategjia për Drejtësi Tranzicionale është një plan gjithëpërfshirës që synon promovimin e kulturës së respektimit të të drejtave të njeriut, të vërtetës, drejtësisë dhe kohezionit social në Kosovë. Kjo shënon një hap të madh drejt adresimit të padrejtësive të së kaluarës, duke e kultivuar kështu një shoqëri të harmonishme mbi parimet e tolerancës, diversitetit dhe respektit të ndërsjellë.