
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, si udhëheqës i procesit të draftimit të Strategjisë, prezantoi objektivat dhe indikatorët e kësaj shtylle dhe rikujtoi se në kuadër të Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, janë parashtruar dhe diskutuar disa opsione përmes të cilave synohet realizimi i këtyre objektivave.
Opsionet e dala nga procesi i Rishikimit Funksional lidhur me avancimin e luftës kundër korrupsionit, u prezantuan nga Drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Lulzim Beqiri. Të njëjtat u diskutuan gjerësisht nga anëtarët e Nëngrupit Punues dhe pjesëmarrësit e tjerë në takim. Fokus të veçantë gjatë diskutimit mori propozimi për themelimin e Zyrës Kombëtare për Luftimin e Korrupsionit të Nivelit të Lartë dhe krijimi i gjykatës speciale kundër korrupsionit.
Nëngrupi Punues për Anti-korrupsion përbëhet nga përfaqësues të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, Agjencisë kundër Korrupsionit, Kryeprokurorit të Shtetit, Prokurorisë Speciale, Policisë, Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar apo të Konfiskuar, Ministrisë së Financave, NJIF-it, Administratës Tatimore të Kosovës, Doganës dhe Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Krahas anëtarëve të Nëngrupit Punues, në takim morën pjesë edhe përfaqësues nga Ambasada e SHBA-ve, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, UNDP dhe EULEX.
Anëtarët e grupit punues dhe pjesëmarrësit e tjerë në takim, tutje diskutuan lidhur me vizionin e këtij kapitulli dhe u pajtuan mbi hapat e ardhshëm rreth hartimit të Projekt Strategjisë Sektoriale të Sundimit të Ligjit.