Skip to content
Mbahet takimi i parë ndër-ministror kundër dhunës në familje

Mbahet takimi i parë ndër-ministror kundër dhunës në familje

Prishtinë, 01/01/1900

Nën kryesimin e Zëvendësministrit të Drejtësisë, njëherësh Koordinatorë nacional i grupit koordinues ndër-ministror kundër dhunës në familje, Daut Xhemajli, sot u mbajt takimi i parë i këtij grupi koordinues.

Para të pranishmëve të këtij takimi, Koordinatori nacional i grupit koordinues ndër-ministror kundër dhunës në familje, Daut Xhemajli tha “Më lejoni që në fillim në takimin e pare të Grupit, në emër të Qeverisë së Kosovës të ju uroj për punën dhe për përkushtimin tuaj në këtë Grup dhe të shpreh në emër tuaj dhe timin si Koordinator Nacional, gatishmërinë tonë për të implementuar Programin e Kosovës Kundër Dhunës në Familje.

Patjetër, sot dua të falënderoj edhe të gjithë akterët të cilët kontribuan për të pasur Infrastrukturën adekuate ligjore dhe një program të tillë në Kosovë, Kundër Dhunës në Familje, në radhë të parë Qeverinë e Kosovës dhe institucionet tjera të Kosovës, pastaj UNDP-në, Ambasadën Amerikane dhe organizatat tjera ndërkombëtare në Kosovë, si dhe Shoqërinë civile të angazhuara konkretisht kundër dhunës në Familje dhe Barazi Gjinore në Kosovë.

Të nderuar të pranishëm, Dhuna në Familje e përkufizuar si: ‘Një apo më shumë veprime apo lëshime të qëllimshme që bëhen nga një person ndaj një personi tjetër me të cilin është apo ka qenë në marrëdhënie familjare, ku mes tjerash përfshihet përdorimi i forcës apo presionit psikik, duke bërë që personi të frikësohet për mirëqenien e tij ekonomike, duke shkaktuar ndjenjën e frikës dhe rrezikshmërisë personale apo dinjitetit të tij i shoqëruar me ofendime dhe sharje me qëllim të përuljes së personit tjetër‘.  

Sipas hulumtimeve të kryera anembanë nëpër botë për dhunën në familje edhe Kosova nuk është përjashtuar nga ky fenomen, por fatkeqësisht ky fenomen në Kosovë vetëm pas luftës së fundit ka filluar të trajtohet si shkelje e të drejtave të njeriut. Në një prej hulumtimeve të kryera nga Rrjeti i Grupit të Grave dhe UNDP-ja në vitin 2009 diku rreth 46% e grave dhe vajzave të intervistuara kanë qenë viktimë e ndonjë forme të dhunës në familje, prandaj duke qenë se jetojmë në një shoqëri ku dhuna në baza gjinore është e pranishme në një masë të madhe dhe duke pasur si Vizion të ndërtojmë një shoqëri pa dhunë në familje ku të drejtat e secilit vlerësohen dhe respektohen dhe që janë në gjendje të realizojnë potencialet e tyre pa dhunë dhe diskriminim, është e qartë se synojmë të realizojmë misionin tonë për një mjedis social, ekonomik dhe ligjor i cili garanton që anëtarët e familjes të jetojnë në një shoqëri pa dhunë dhe ku do të kenë hapësirë për tu angazhuar për ndryshimin e jetës së tyre.

Pas luftës, në Kosovën e përballur me shumë dimensione të dhunës në familje u krijuan mekanizma ligjor dhe institucional që kanë rol dhe përgjegjësi për parandalimin, mbrojtjen, trajtimin, rehabilitimin dhe integrimin e viktimave të dhunës në familje në Republikën e Kosovës.

Këta mekanizma institucional në Kosovë që kanë rol dhe përgjegjësi në parandalimin dhe luftimin e dhunës në familje, duke filluar nga Koordinatori Nacional si organ individual përgjegjës për koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve të parapara në Programin e Kosovës kundër dhunës në Familje.

Duke vazhduar Mbrojtësit e Viktimave dhe rolin kryesor dhe konkret të tyre për të mbrojtur dhe përfaqësuar të drejtat e viktimave të krimit me theks të veçantë viktimat e dhunës familjare, keqtrajtimet seksuale, trafikimit me qenie njerëzore, abuzimet e fëmijëve etj.

Prokuroria dhe Policia e Kosovës, të cilat kanë të ngritura kapacitetet dhe strukturën institucionale kundër dhunës në familje dhe institucionet tjera për parandalimin, mbrojtjen, trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, sikurse janë: 
Ministria e Shëndetësisë me institucionet e saja që ofrojnë shërbime shëndetësore, të cilat  janë akterë të rëndësishëm për identifikimin dhe adresimin e dhunës në familje, sepse janë pikërisht institucione të cilat përballen dhe ku trajtohen pacientët që kanë përjetuar dhunë fizike.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është përgjegjëse për monitorimin dhe inspektimin e ofrimit të shërbimeve sociale nga Ofruesit e këtyre shërbimeve Sociale ( Qendrat për punë sociale dhe OJQ –të )

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL-ja) ka krijuar nëpër të gjitha komunat Njësitë për të Drejtat e Njeriut, të cilat udhëhiqen nga zyrtarët për  barazi gjinore të cilat kanë rol të rëndësishëm për promovimin e barazisë gjinore, perspektivën gjinore në shoqëri dhe bashkëpunimin me organet relevante në komuna për hartimin e politikave dhe për parandalimin e dhunës në familje. 

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, e cila synon që të gjitha institucionet arsimore të sigurojnë një nivel të lartë përvetësimi, zbatimi, avancimi dhe promovimi për të drejtat e fëmijëve, përmes kurikulave mësimore me tema nga fusha e të Drejtave të Njeriut, ku fëmijët e Kosovës mësojnë për të drejtat e tyre në familje, në shkollë dhe kjo do të kontribuon për raporte pozitive brenda familjes tonë.

Është i madh dhe shumë i rëndësishëm edhe Roli i Shoqërisë Civile për mbrojtjen e viktimave dhe monitorimin e dhunës në familje e cila në Kosovë është realizuar nëpërmjet, Koalicionit të Strehimoreve të Kosovës, Rrjetit të Grave të Kosovës,  Shoqata e Juristëve “Norma“, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe nga Organizata tjera joqeveritare.

Krejt në fund, informimi mbi dhunën në familje nga ana e mediave ka rëndësi të madhe për krijimin dhe promovimin e një opinioni të fuqishëm shoqëror kundër dhunës në familje, qasja e tyre profesionale dhe me ndjeshmëri ndaj fenomenit të dhunës në familje e sidomos qasja promovuese ndaj  vlerave të familjes, prandaj  është shumë me rëndësi përcjellja e mesazheve në interes të vetëdijesimit të popullatës dhe sidomos brezit të ri për përvetësimin e vlerave themelore të demokracisë që mbështeten në respektimin e drejtave të njeriut, të tolerancës dhe solidaritetit njerëzor.

Të nderuar të pranishëm, Implemetimi i Programit Nacional Kundër Dhunës në Familje, paraqet sfidën e radhës ku kërkohet domosdoshmërish mbështetja e të gjitha ministrive, agjencionëve, shoqërisë civile, mediave dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare, por duke pasur parasysh se në të kaluarën ka munguar një koordinim i mirëfilltë institucional në mes te të gjitha palëve të interesit, prandaj formimi i këtij Grupi është i rëndësisë së veçantë për Koordinimin, bashkërendimin, monitorimin dhe raportimin e implementimit të politikave, aktiviteteve dhe veprimeve të parapara në Programin e Kosovës kundër dhunës në familje.

Shpresoj dhe besoj që pas konstituimit të këtij Grupi të gjithë bashkërisht sipas përgjegjësive që kemi, t’i përkushtohemi implementimit të këtij dokumenti (Programi…) i cili do të ndihmon në ngritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës dhe do të shënon edhe një hap përpara drejtë integrimit më të shpejtë të Kosovës në BE dhe institucione tjera ndërkombëtare”. 

Foto Galeria

Skip to content