Sot u mbajt takimi i përbashkët me anëtarët e Mekanizmave Koordinues Lokal për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore. Në këtë takim u prezantuan dhe diskutuan Rregullorja për Mekanizma Koordinues Lokal për mbrojtje nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore, si dhe Udhëzimi Administrativ për përcaktimin e procedurës për ofrimin e shërbimeve nga fondi emergjent për nevojat e viktimave gjatë qëndrimit të tyre në stacionet policore.
Në fjalën e tij hyrëse, Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, vlerësoi se ky është një moment i rëndësishëm për mënyrën se si shteti, shoqëria dhe komunitetet tona bashkëpunojnë për të ndaluar dhunën dhe për të mbrojtur dinjitetin e çdo njeriu.
“Për herë të parë, niveli lokal ka raportuar zyrtarisht punën e tij tek niveli qendror. Kjo ndodh në kuadër të zbatimit të një detyrimi ligjor, dhe është rezultat i një përpjekjeje të qeverisë e të institucioneve për t’i dhënë mekanizmave koordinues të nivelit lokal një rol të qartë, të strukturuar, dhe të detyrueshëm”, u shpreh ministri Sallahu.
Ai shtoi se, sipas rregullores, detyrat dhe përgjegjësitë e mekanizmit koordinues lokal përfshijnë identifikimin e nevojave për mbështetje të viktimave, koordinimin e politikave dhe shërbimeve, draftimin e planeve të veprimit, mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, dhe ngritjen e ndërgjegjësimit për tolerancë zero ndaj dhunës.
Siç shtoi ministri Sallahu, ndryshimi i normave shoqërore trajtohen më së miri kur ka një sinkronizim midis ligjit, praktikës, dhe kulturës shoqërore. Sipas tij, qytetarët e Kosovës kanë një mundësi të artë ta bëjnë vendin një shembull të sistemit të mbrojtjes që funksionon në praktikë, jo vetëm në letër.
“Kur mekanizmat lokalë raportojnë tek niveli qendror, ata i japin shoqërisë një mesazh të qartë: ne nuk do të lejojmë që problemi të mbetet i heshtur. Ne nuk do të lejojmë që viktimat të mbesin të izoluar. Ne jemi një komb që përballet me të vërtetën dhe dëshiron të ndërtojë rrugën drejt një familjeje, një komuniteti, një shoqërie, ku dhuna nuk ka vend”, përmbylli ministri Sallahu duke inkurajuar bashkëpunimin e mëtejshëm për një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më të sigurt.
Në këtë takim, të mbajtur në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, fjalë hyrëse mbajti edhe Zëvendesshefja e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Cornelia Taylor, derisa rregulloren e re e prezantoi bashkëhartuesja dhe Këshilltarja politike, Vlora Limani Hajnuni, pasuar me diskutime nga përfaqësuesit e mekanizmave lokalë.