
Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit mbajti takimin e vetë të radhës. Nikoqir i këtij takimi ishte Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Bernd Borchardt, ndërsa bashkë-kryesues ishin Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë dhe Samuel Zhbogar, Shef i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësues Special i BE-së.
Në fokus kryesorë të këtij takimi ishte prezantimi i ‘Raportit të Progresit për Marrëveshjen Kompakte’ në të cilin janë paraqitur vështrime lidhur me bashkëpunimin dhe rezultatet e arritura nga koha e nënshkrimit të Marrëveshjes Kompakte në muajin nëntor. Ndër tjera, raporti nënvizon progresin e arritur në certifikimin e librave të Regjistrit Civil të Kosovës që aktualisht janë në posedim të autoriteteve serbe. Deri më tani janë certifikuar 6,889 libra, si pjesë e projektit me seli në Nish, Serbi, me përfshirjen e EULEX-it, Zyrës së BE-së në Kosovë/PSBE, Këshillin Danez për Refugjatë si partner zbatues, dhe ekipet nga Kosova e Serbia.
Raporti tutje thekson bashkëpunimin ndërmjet prokurorëve dhe Policisë së Kosovës të cilët, me mbështetjen e EULEX-it, janë pajtuar që të mbajnë takime të rregullta në zbatim të mandateve të tyre sipas ligjeve të zbatueshme. Përfundimisht, kjo e përvijon mënyrën se si Shërbimi Korrektues i Kosovës, në partneritet me EULEX-in, i kanë vënë themelet për aftësinë e vetë-inspektimeve të shërbimeve të tyre përmes zbatimit të masave të auditimit nga Programii Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit (ISAP).
Ministri Kuçi u shpreh i kënaqur me arritjet e shënuara drejt fuqizimit dhe konsolidimit të Sundimit të Ligjit në Kosovë, duke theksuar se: “Fryma e partneritetit të mirë ndërmjet institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe Zyrës së BE-së, është një ndër faktorët kryesor për arritjet e shënuara. Ky partneritet i mirë duhet të vazhdojë të jetë burim i ndërtimit të mëtutjeshëm të kapacitetet të institucioneve tona në të gjitha fushat, duke mundësuar kështu një tranzicion sa më të lehtë dhe efektiv të kompetencave nga institucionet ndërkombëtare në ato vendore“.
Shefi i EULEX-it, Bernd Borchard theksoi rëndësinë e Marrëveshjes Kompakte, dhe tha: “Përderisa publikimi i Raportit të Progresit për Marrëveshjen Kompakte vjen në një kohë pikëllimi për EULEX-in, unë shpresoj se ai do të shërbejë për forcimin e përkushtimit drejt arritjes së objektivave të Marrëveshjes Kompakte, sipas marrëveshjes së përbashkët të arritur në mes të autoriteteve të Kosovës dhe familjes së BE-së. Unë dëshiroj të falënderojë të gjithë ata që morën pjesë në përpilimin e Raportit dhe të cilët punojnë në baza ditore për arritjen e objektivave të Marrëveshjes Kompakte. Ngjarja tragjike e javës së shkuar vetëm sa do ta përforcojë vendosmërinë tonë për të vazhduar punën në partneritet drejt fuqizimit të mëtejmë të sundimit të ligjit në Kosovë.”
Shefi i Zyrës së BE-së dhe PSBE Samuel Zhbogar tha: "Ka brenga në mesin e disa komuniteteve pakicë se autoritetet vendase mund të mos jenë të gatshme për të hetuar lidhur me kërkesë-paditë për uzurpim të paligjshëm të pronave të tyre dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e tyre. Këto raste nuk janë shkelje penale, por ato po ashtu dërgojnë sinjale negative për të kthyerit e mundshëm dhe vëzhguesit ndërkombëtar. Për këtë arsye, Zyra e PSBE-së, ka mbajtur takime me EULEX-in, dhe OSBE-në për të bërë një analizë nga testimi i objektivave, në kuptim të zbulimit se deri në çfarë mase mund të paraqiten ose jo bllokadat sistematike. Unë pres me padurim të shoh rezultatet përfundimtare të këtij projekti dhe shpresoj se mund të llogaris në përkrahjen e Qeverisë së Kosovës, që me të vërtetë t’i trajtojë këto çështje në frymë objektive dhe konstruktive."
Anëtarët e BPSL-së, u nënshkruan në librin e zisë ku i shprehën ngushëllimet e tyre familjes së Audrius Senavicius, i cili u vra javën e kaluar gjatë një sulmi në pjesën veriore të Kosovës. Në fillim të takimit, pjesëmarrësit mbajtën një minutë heshtje në nderim të Audrius Senaviciusit.