Skip to content
Mbahet takimi i radhës i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit

Mbahet takimi i radhës i Bordit të Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit

Prishtinë, 22/01/2014

Bordi i Përbashkët Bashkërendues për Sundimin e Ligjit, mbajti sot takimin e parë të këtij viti. Nikoqir i këtij takimi ishte Prof. Dr. Hajredin Kuçi, Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë,  ndërsa bashkëkryesues ishin, Bernd Borchardt,  Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë  dhe Samuel Zbogar, Shef i Zyrës së BE-së dhe Përfaqësues Special i BE-së.

Në takim u diskutuan çështje me rëndësi në fushën e sundimit të ligjit në kuadër të Kompaktit të Udhërrëfyesve, me fokus të veçantë sfidat në fushën kundërkorrupsion, mbrojtjen e dëshmitarëve, çështje rreth transferimit të të burgosurve dhe sigurisë në qendrat korrektuese, e ato të paraburgimit, me theks të veçantë në Burgun e Sigurisë së Lartë. 

Gjithashtu, u diskutua edhe për çështjet e pronave, për Agjensionin Kosovar të Pronave dhe Panelin për Ankesa, përkatësisht për gjendjen aktuale dhe progresin e realizuar, si dhe për hapat që do të ndërmerren në implementimin e Udhërrëfyesit. 

Ndërtjera, në takim u diskutua edhe për punën e Departamentit të Mjekësisë Ligjore dhe për nevojën e  ngritjes së mëtutjeshme të kapaciteteve të këtij institucioni. Gjatë takimit, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se: “Rendi dhe ligji mbesin prioritet për Qeverinë e Kosovës. Ne kemi qenë dhe mbesim të përkushtuar në zbatimin e të gjithë udhërrëfyesve që janë miratuar në kuadër të këtij Bordi. 

Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt konsolidimit të infrastrukturës ligjore, krijimit të strukturave funksionale dhe ngritjes së kapaciteteve të plota të institucioneve të Kosovës për kryerjen e detyrave të parapara me ligj. Qëllimi jonë është të krijojmë një sistem funksional dhe efikas të drejtësisë, si dhe t’u ofrojmë qytetarëve një qasje më të lehtë në drejtësi.” 

Zbogar shtoi se: “Bashkimi Evropian dhe Kosova, sapo kanë përmbyllur një sesion të suksesshëm të Dialogut të Strukturuar në Bruksel javën e kaluar. Ne jemi pajtuar për disa aktivitete që kanë për qëllim të forcojnë kapacitetet e institucioneve të Kosovës për pronësi dhe përgjegjësi në fushën e sundimit të ligjit dhe për format që BE mund të vazhdojë të mbështet këto përpjekje të Kosovës”.

Shefi i EULEX-it, Bernd Borchardt tha se: "Ky takim, i Bordit të Përbashkët  Bashkërendues për Sundimin e Ligjit, na dha mundësinë për të vlerësuar atë që është arritur gjatë muajve të fundit lidhur me zbatimin e Kompaktit, të cilin e kemi nënshkruar në nëntor, 2012. Në veçanti kemi diskutuar sfidat në zbatimin e udhërrëfyesve të miratuar në rastet e mëparshme. 

Ne kemi fokusuar diskutimet tona mbi masat antikorrupsion, ku duhet punuar më shumë. BPBSL, do të shqyrtojë progresin rregullisht. Gjithashtu, ne kemi trajtuar çështjen e ndërhyrjeve politike. Ne shpresojmë që në takimin e radhës, të miratojmë një sërë masash për të luftuar ndërhyrjet politike. Unë do të doja të përdorë këtë mundësi për të kërkuar nga të gjitha institucionet e Kosovës që të dyfishojnë përpjekjet e tyre në ndjekjen e detyrave të pazgjidhura nga Kompakti dhe udhërrëfyesve që jemi pajtuar.”
 

Foto Galeria

Skip to content