Skip to content
Mbahet takimi i radhës i Këshillit Ndërministrorë për Integrime Evropiane

Mbahet takimi i radhës i Këshillit Ndërministrorë për Integrime Evropiane

Prishtinë, 04/05/2012

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin e radhës së Këshillit Ndërministrorë për Integrime Evropiane. 

Në këtë takim, Zëvendëskryeministri Kuçi tha: “Me lejoni që t’ju njoftoj sipas planit të paraparë për dy çështje që ka të bëjë me strategjinë për të drejtat pronësore dhe për miratimin e Projektligjit për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale. Fillimisht më lejoni të them që Zyra e Kryeministrit ka vazhduar angazhimin e hartimit të strategjisë për të drejtat pronësore, ka përcaktuar objektivat kryesore dhe ka paraparë aktivitete që dalin për administrimin e këtyre objektivave. Në të ardhmen e afërt parashihet që të mbahen takime me shoqërinë civile dhe me qytetarët për ngritjen e vetëdijes. Aktiviteti do të dendësohet dhe besoj se do të ngritët edhe përformanca aktuale e aktiviteteve të Zyrës së Koordinatorit për të drejta pronësore pranë Zyrës së Kryeministrit, e cila më pastaj do të kompletohet jo vetëm në planin profesional, por edhe në ndarjen e buxhetit dhe parashikimet tjera, që të gjitha këto do të behën para shtatorit  të këtij vitit.

Sa i përket çështjes së dytë miratimit të Projektligjit për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, Ministria e Drejtësisë ka koordinuar aktivitetet me të gjithë akterët përfshirë ata nga shoqëria civile, nga EULEX-i, nga Komisioni Evropian, Ambasada Amerikane dhe pas finalizimit të Projektligjit i cili besoj se brenda këtij muaji do të procedohet në Qeveri, ku kemi mare parasysh edhe ndryshimet e bëra në Projektkodin e procedurës penale.

Më lejoni që më shkurtimisht t’ju njoftojë me këtë draft-ligj, ku do të shikojmë që mundësia e bartjes së provës do të mbetet të Prokurori, për shkak së të provuarit e pasurisë nga qytetari, duke filluar nga regjistrat kadastral, pastaj sistemi i trashëgimisë paraqet një prej çështjeve të hapura në vendin tonë, për shkak të historisë se kaluar. Po ashtu, dua të them që propozimet në këtë projektligje që të gjitha kanë ardhur nga ekspertë vendor dhe ndërkombëtar, në veçanti nga ekspertët e projektit të Binjakëzimit të cilët janë angazhuar në këtë projekt.

Në fund po e them se me këtë projektligj do të mundësohet që Gjykatat të kryejnë disa veprime, e para konfiskimi i pasurisë do të bëhet me vendim të Gjykatës sipas kërkesës së Prokurorit, konfiskimi i pasurisë mund të bëhet edhe ndaj pasurive të cilave nuk u është vendosur masa e sekuestrimit, ku Gjykata duhet të vendos për konfiskim brenda tre muajve nga data e paraqitjes së Prokurorit, me ndonjë përjashtim për raste komplekse. Pasuria e fituar me vepër penale përcaktohet me aktgjykim me të cilin personi i autorizuar do të shpallet fajtorë dhe me qëllim të luftimit të korrupsionit dhe dukurive negative është paraparë që kapacitetet njerëzore të ngritën në institucione që merren me këtë lami dhe shuma e marrë në këtë formë 20% e pasurisë se konfiskuar, do të ndahet për financimin e ngritjes se kapaciteteve në punën e sistemit gjyqësor prokurorial dhe në Agjencinë për Sekuestrimin e Pasurisë së Konfiskuar .

Unë jam i bindur që do t’i marrim parasysh standardet e BE-së edhe praktikat e mira të Gjykatës Evropiane për liritë dhe të drejtat e njeriut, që garantojnë të drejtën dhe lirinë e secilit qytetarë, që në mënyrë të qetë ta gëzoj të drejtën për pronë private, ku dhe gjykimi do jetë i drejtë dhe i paanshëm”. 

Foto Galeria

Skip to content