Skip to content
Mbahet tryeza e diskutimit “E drejta e vajzave dhe grave në trashëgimi dhe pronë”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë

Mbahet tryeza e diskutimit “E drejta e vajzave dhe grave në trashëgimi dhe pronë”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë

Prishtinë, 03/12/2025

Sot u mbajt tryeza e diskutimit “E drejta e vajzave dhe grave në trashëgimi dhe pronë”, organizuar nga Ministria e Drejtësisë në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.

Në fjalën e tij hyrëse, Ushtruesi i Detyrës i Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, theksoi se barazia në pronë është baza e pavarësisë, e sigurisë ekonomike dhe e fuqisë për të marrë vendime. Ai ritheksoi se prona në duart e grave nuk e dobëson familjen, por e forcon atë dhe nuk e copëton shoqërinë, por e bashkon atë mbi drejtësinë.

Duke folur për aspektin ligjor, ministri Sallahu përmendi se shteti ynë e ka përcaktuar qartë përmes Kushtetutës së Republikës së Kosovës të drejtën e barazisë në pronë dhe trashëgimisë, teksa veçoi hartimin e Kodit Civil përmes së cilit rregullohet në përpikmëri çështja e kësaj të drejte.

“Ky është zotimi ynë: barazia në pronë nuk do të mbetet në letër. Do të jetë politikë publike, e ndërtuar mbi ligj, e mbështetur nga institucione, dhe e mbrojtur me vullnet politik”, tha ministri Sallahu duke shtuar se Ministria e Drejtësisë do të marrë vendime që kanë kuptim real për jetën e grave dhe vajzave të vendit tonë.

Në këtë panel, përveç diskutimeve të akterëve pjesëmarrës, fjalë rasti patën edhe Drejtorja Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, Drejtori i Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Faton Jashari dhe Drejtorja Ekzekutive e “Kosova – Women 4 Women”, Ilirjana Jaka Gashi.

Tryeza e diskutimit “E drejta e vajzave dhe grave në trashëgimi dhe pronë”, u moderua nga Këshilltarja Politike Vlora Limani-Hajnuni.

Skip to content