Skip to content
Mblidhet Bordi Këshillëdhënës i Institucionit të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik

Mblidhet Bordi Këshillëdhënës i Institucionit të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik

Prishtinë, 03/04/2025
Më ftesë të Ministres së Drejtësisë, znj. Albulena Haxhiu, njëherit kryesuese e Bordit, sot është mbajtur takimi i Bordit Këshillëdhënës i Institucionit të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.
Mes tjerash, në rend dite për diskutim, Bordi kishte dy pika: a) Raportimi i Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik për vitin 2024, si dhe b) diskutimi për iniciativën e Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me ndryshimin e Rregullores së Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.
Pas prezantimit të Raportit të Punës së Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik z. Shqipdon Fazliu, të pranishmit diskutuan për gjetjet e raportit, në veçanti për mungesën e efikasitetit të sistemit rreth rasteve të konfiskimit.
Bazuar në statistikat e Raportit, gjatë vitit 2024, vetëm 12 raste kanë përfunduar me konfiskim ndër të cilat, PTh në Prizren 5 raste, PSRK dhe PTh në Gjakovë nga dy 2 raste, PTh në Mitrovicë, PTh në Pejë dhe PTh në Prishtinë vetëm nga një rast.
Sipas konstatimeve të raportit të Koordinatorit përkatës Kombëtar, marrë parasysh numrin e tillë për tërë sistemin e drejtësisë, një shifër e tillë konsiderohet mjaft e vogël për tërë sistemin.
Gjetje tjetër ishte moszbatimi i nenit 92 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës i cili ka të bëjë me konfiskimin e mjeteve dhe dobisë pasurore të veprave penale, me ç’rast u diskutua për alternativat e rritjes së efikasitetit të sistemit në këtë drejtim, por gjithashtu edhe për zbatimin e dispozitave përkatëse.
Shqetësim tjetër mbetej gjithashtu iniciativa e njëanshme e Këshillit Prokurorial të Kosovës lidhur me ndryshimin e Rregullores së Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik. Ndonëse të ftuar në takim, përfaqësues të KPK-së, në këtë rast Kryesuesi i KPK-së nuk i ishte përgjigjur fare ftesës.
Të pranishmit në takim, gjatë diskutimit, u dakorduan për veprime të mëtejmë në adresimin e shqetësimeve të tilla.
Ministrja Haxhiu poashtu, theksoi rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional për të forcuar luftën kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik, duke garantuar një sistem drejtësie të drejtë dhe efikas për të gjithë qytetarët e vendit.
Skip to content