
“Plotësim-ndryshimet që do të bëhen me propozim të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial në projektligjet e pakos së gjyqësorit të Republikës së Kosovës, do ta kenë mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës dhe ato shumë shpejt do të procedohen në Qeveri dhe më pas edhe në Kuvend”, tha Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, në punëtorin, “Finalizimi i projektligjeve të pakos së gjyqësorit të Republikës së Kosovës”, e organizuar nga USAID.
Më tej Ministri Kuçi shprehu besimin e tij që ndryshimet që do të bëhen, do të reflektojnë në radhë të parë atë që e ka hartuar KGJK-ja dhe KPK-ja, për funksionim sa më të mirë dhe demokratik, për rritje të transparencës, si dhe reformimit të gjyqësorit dhe prokurorive.
Po ashtu, Ministri Kuçi përmendi edhe disa ndryshime të propozuara për të hyrë në ndryshimet e këtyre ligjeve siç janë: 1. Krijimi i departamentit për krim te organizuar dhe korrupsion në kuadër të degës së Gjykatës Themelore të Prishtinës, propozim me të cilin janë pajtuar edhe përfaqësuesit e EULEX-it dhe Ambasadës Amerikane; 2. Krijimi i një departamenti të veçantë për çështje të investimeve të huaja po në kuadër të degës së Gjykatës Themelore të Prishtinës; dhe 3. Krijimin e një departamenti të përkohshëm për zgjidhjen e lëndëve të mbetura nëpër gjykata.
Ministri Kuçi përmendi edhe bisedimet që janë zhvilluar dhe planin që është bërë për transferimin e kompetencave të EULEX-it, në institucionet vendore dhe kërkoi që ndryshimet që do të bëhen në këto ligje, të reflektojnë këtë planë.
Në fund, Ministri Kuçi shprehu bindjen e tij që mendimet që do të jepen sot në këtë punëtori, do të jenë të koordinuara plotësisht me gjyqësorin e prokurorin, si dhe me partnerët ndërkombëtar, EULEX-in dhe Ambasadën amerikane.