Skip to content
MD ka marrë parasysh rekomandimet e secilit anëtar të grupit punues, gjatë hartimit të Projektligjit për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale

MD ka marrë parasysh rekomandimet e secilit anëtar të grupit punues, gjatë hartimit të Projektligjit për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale

Prishtinë, 01/06/2012

Në lidhje me deklaratën e disa prej anëtare të grupit punues për Projektligjin për konfiskimin e pasurisë të fituar me vepër penale, Ministria e Drejtësisë njofton së ky Projektligj është hartuar duke u bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore në Republikën e Kosovës, në pajtim të plotë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, si dhe me praktikat e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe duke marr parasysh të gjitha komentet dhe rekomandimet e secilit anëtar të grupit punues dhe ekspertëve të angazhuar për këtë projektligj.

Ministria e Drejtësisë duke qenë e përkushtuar për konsultimin e të gjithë akterëve kyç që merren me fushën e luftimit të korrupsionit, përveç institucioneve si Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Këshillit Gjyqësor, Policisë së Kosovës, Agjencionit Kundër Korrupsion, EULEX-it, Ambasada Amerikane etj., në kuadër të grupit punues ka përfshirë edhe përfaqësuesit e organizatave të shoqërisë civile gjegjësisht, përfaqësuesit nga KDI,  KMLDNJ dhe Lëvizja Fol.

Ministria e Drejtësisë për hartimin e këtij projektligji ka shfrytëzuar të gjitha metodat e konsultimit me anëtarët e grupit punues dhe akterët tjerë të rëndësishëm për këtë projektligj, duke zhvilluar takime të përbashkëta me anëtarët e grupit, me ekspertët e angazhuar me ndihmën e Komisionit Evropian dhe në këto takime janë diskutuar dhe shqyrtuar edhe zgjidhjet me të mira që Kosova duhet të përfshijë në legjislacionin për konfiskimin e pasurisë.

Anëtarëve të grupit i janë shpërndarë të gjitha raportet e ekspertëve dhe analizat për këtë projektligj.

Për të marr mendimin e të gjitha palëve të interesuara, përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë kanë marr pjesë në konferencat apo takimet e organizuara nga organizatat e shoqërisë civile e që kishin për qëllim diskutimin e legjislacionit për konfiskimin e pasurisë.
Duhet theksuar se Rregullorja e Punës e Qeverisë së Kosovës, tanimë ka eliminuar grupet punuese dhe i gjithë procesi i hartimit të legjislacionit përcillet me procedurat e konsultimit të materialeve nga institucionet përkatëse dhe dërgimit të komenteve e rekomandimeve përkatëse për secilin projektligj apo projekt akt nënligjor.

Për hir të së vërtetës duhet informuar anëtarët e grupit punues nga KMLDNJ, KDI dhe Lëvizja Fol, që Ministria e Drejtësisë nuk ka shkelur afatet e dërgimit të projektligjit në Kuvend, pasi që me Programin e Punës së Kuvendit të Kosovës të miratuar nga Kuvendi me 15 Shkurt 2012, është përfshirë edhe ky projektligj në numrin rendor 96 dhe përcaktohet që afati i dërgimit nga Qeveria, është muaji Qershor 2012.

Ministria e Drejtësisë gjatë hartimit të këtij projektligji përveç koordinimit të afateve me afatet e përcaktuara në Programin e Kuvendit, ka marr parasysh të gjitha ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, të përgatitura po ashtu nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim të eliminimit të dispozitave të dyfishta dhe harmonizimit të legjislacionit në këtë fushë.

Në këtë projektligj është përfshirë konfiskimi i zgjeruar në pajtim me dispozitat e nenit 3 të vendimit kornizë të Këshillit 2005/212/JHA të datës 24 shkurt 2005 si dhe praktikën gjyqësore nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë (shih rastet ,, Salabiaku/France (1988) dhe Phillips/UK (2001), duke mundësuar që të konfiskohet pasuria që është në pronësi te të pandehurit ose që mbahet në emër të pandehurit, apo pasuria e cila i është bartur palës tjetër nga personi i cili është apo bëhet i pandehur apo i dënuar.

Me këtë projektligj mundësohet konfiskimi i pasurisë për personat e dënuar jo vetëm për pasurinë e fituar nga vepra penale për të cilën është dënuar por edhe konfiskimi i të gjitha pasurive tjera të fituara gjatë periudhës së veprës penale për të cilën shpallë fajtor dhe nuk mund të dëshmojë se i ka fituar në mënyrë të ligjshme, e që ato pasuri i ka fituar përmes sjelljeve të ndryshme kriminale.

Me këtë projektligj i garantohet gjykim i drejtë i secilit person dhe është shumë me rëndësi që i pandehuri do të ketë mundësi dhe të drejtë për të dëshmuar që pasurinë e ka fituar në mënyrë të ligjshme apo që është blerës “bona fide’’, që nënkupton edhe kalimin e barrës së të provuarit tek pala tjetër, që ishte edhe një prej rekomandimeve të grupit punues.
Me këtë projektligj mbrohet dhe sigurohet e drejta e pronës e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, që përcakton të drejtën e secilit në pronë dhe ndalimin që qytetari të privohet në mënyrë arbitrare nga prona.

Ministria e Drejtësisë duke falënderuar të gjithë mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar për ofrimin e bashkëpunimit në hartimin e legjislacionit dhe duke qenë e përkushtuar për bashkëpunim me shoqërinë civile, mbetur po ashtu e përkushtuar për përmirësimin deri në përsosmëri të legjislacionit në përgjithësi, e veçanërisht atij i cili është i dedikuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, gjithnjë në pajtim me dispozitat kushtetuese dhe në pajtim me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Skip to content