
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka prezantuar para Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike të Kuvendit të Kosovës lidhur me shqyrtimin e Raportit të Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2012.
Në këtë takim u tha se Ministria e Drejtësisë ka shënuar progres në shumë fusha të pasqyrave financiare, të cilat janë evidentuar edhe në Raportin e Auditorit të Përgjithshëm, ndërsa u kërkua që rekomandimet që kanë dal në këtë raport të merren për bazë.
Anëtaret e Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike të Kuvendit të Kosovës duke vlerësuar punën e Ministrisë së Drejtësisë, potencuan se kjo ministri është e vetmja që ka vendosur mjetet e kontrollit të lëvizjes së veturave të saja (GPS) dhe se është e vetmja ministri që bënë publike në baza javore të gjitha shpenzimet. Ndërsa lidhur me procedurat e prokurimit, u tha se të gjitha procedurat kanë shkuar në bazë të Ligjit për Prokurimin Publik.
Në prezantimin e tij, Ministri Kuçi ka vlerësuar punën e Auditorit të Përgjithshëm dhe Komisionit për mbikëqyrjen e financave publike të Kuvendit të Kosovës, ndërsa ka premtuar realizim të të gjitha rekomandimeve që i janë dhënë Ministrisë së Drejtësisë.
Po ashtu, Ministri ka prezantuar edhe veprimet që janë marrë për realizimin e rekomandimeve që kanë dal për pasqyrat financiare për vitin 2012.
Opinioni i Zyrës se Auditorit të Përgjithshëm për Pasqyrat Kryesore Financiare të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2012, në të gjitha aspektet materiale prezantojnë pasqyrim të drejtë e të vërtetë dhe ka opinion të pakualifikuar.