
Ministria e Drejtësisë sot organizoi ceremoninë përmbyllëse të këtij viti pune dhe bëri ndarjen solemne të Çmimit për Drejtësi “Hero Sali Çekaj”.
Përveç këtij çmimi, Ministria e Drejtësisë ndau edhe mirënjohje për bashkëpunëtorët e ngushtë të saj gjatë këtij viti, për kontributin e tyre në shumë procese në drejtësi.
Në këtë ceremoni në të cilën përveç stafit të Ministrisë së Drejtësisë, morën pjesë dhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifetë Jahjaga, ministra, deputetë, ambasador, si dhe përfaqësues tjerë të institucioneve të ndryshme vendase dhe ndërkombëtare, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, duke përshëndetur pjesëmarrësit tha se ky vit ka qenë i suksesshëm, por sipas tij bilancin me të mirë të punës se bërë do ta bëjnë bashkëpunëtoret e Ministrisë së Drejtësisë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa premtoi që vitin tjetër do i realizon edhe ato gjera që nuk ka mundur ti realizojë në këtë vit.
Lidhur me ndarjen e Çmimit për Drejtësi “Hero Sali Çekaj”, Ministri Kuçi tha se ideja për ndarjen e këtij çmimi, është nga se Heroi Sali Çekaj ka punuar me drejtësi për të zbutur forcën, por ka punuar edhe me forcë për ta mbrojtur drejtësinë.
Me pas, për kontributin e dhënë në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës dhe për bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, Çmimi për Drejtësi “Hero Sali Çekaj u nda për: profesorët e Fakultetit Juridikë të UP-së, Prof. Dr. Faik Brestovci, Prof. Dr. Zejnullah Gruda dhe Prof. Dr. Ismet Salihu, për Rexhep Haxhimusën, për gjyqtarët Emine Kaqiku, Avni Dinaj, Mejreme Memaj, Meliha Jusufi, Ahmet Idrizaj dhe Sahit Borovci, për prokurorët Jusuf Mejzini, Agron Galani dhe Ilaz Beqiri, për Lazim Salihun, për grupin e studentëve fitues të çmimit të katërt në garën ndërkombëtare për simulimin e arbitrazhit e mbajtur në Poloni, ndërsa mirënjohje u ndanë për: Komisionin për Legjislacion të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për Jon Smibert, për Yordan Sirakov, për Florina Bisog, për Asociacionin e Gazetarëve Profesionist të Kosovës, për Asociacion e Juristëve Serb të Kosovës, për Projektin e Binjakzimit “Standardet e BE-së për Ministrinë e Drejtësisë”, për Ramadan Bytyqin, për Hyrjeta Blakajn, për Mentor Zogajn dhe për Fatlinda Mustafa – Vraniqin.