
Sot, në disa media elektronike dhe të shkruara është publikuar një informatë ku thuhet se Zëvendëskryeministri njëherësh Ministër i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, gjatë vitit 2011 ka shpenzuar 13,078.85 euro, për dreka dhe darka zyrtare, por pa sqaruar që në këtë shumë, hyjnë shpenzimet edhe të dikastereve tjera vartëse të Ministrisë së Drejtësisë.
Ministria e Drejtësisë sqaron për publikun se në shumën e përgjithshme të shpenzuar gjatë viti 2011, të publikuara si shpenzime të kabinetit të kësaj Ministrie, nuk janë shpenzime të bëra vetëm nga Ministri, por në të vërtetë përfshijnë të gjitha shpenzimet e bëra edhe nga shumë dikastere tjera vartëse të saj.
Gjatë vitit 2011, Ministria e Drejtësisë ka zhvilluar disa aktivitetet të rëndësishme si: Konferenca ndërkombëtare për Krime të Luftës, e organizuar nga Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës, negociata të ndryshme me delegacione nga shtetet tjera ku janë negociuar marrëveshjet për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, organizimi i ndarjes se çmimit për drejtësi “Sali Çekaj”, vizita bërë në Ministrinë e Drejtësisë nga ministra dhe delegacione të ndryshme të vendeve evropiane dhe më gjerë, një numër ceremonish të lidhura me themelimin dhe funksionalizmin e institucionit të noterisë dhe ndërmjetësimit dhe shumë ngjarje të tjera. Pagesat e të gjitha këtyre ngjarjeve bëjnë pjesë në shumën e lartcekur dhe prandaj nuk duhet të interpretohen si shpenzime të Ministrit.
Ministri Kuçi, i cili është njëkohësisht edhe Zëvendëskryeministër, ka një numër jashtëzakonisht të lartë takimesh me partnerë në Kosovë, pret një numër të lartë të udhëheqësve shtetëror nga rajoni dhe bota, gjë që e bën të pashmangshme nevojën për shtruarjen e drekave dhe darkave zyrtare për bashkëpunëtorët e ndryshëm. Për më tepër, nëse kjo shumë ndahet në 12 muaj, del se shuma e shpenzuar është mijëra Euro më e ulët se shuma e alokuar për këto shpenzime.
Për më shumë, Ministria e Drejtësisë duke u munduar të jetë sa më transparente për shpenzimet që bënë, në baza javore në ueb-faqe të saj publikon të gjitha shpenzimet e secilit dikaster, duke filluar nga shpenzimet e Ministrit dhe kabinetit të tij.
Transparenca e publikimeve të shpenzimeve në baza javore nga Ministra e Drejtësisë, është vlerësuar në analizën me titull “Buxheti i Kosovës – transparenca dhe format e raportimit buxhetor”, i publikuar nga Instituti për Hulumtime të Avancuar (GAP).