Skip to content
Më 31 Mars 2013, mbahet testi me shkrim për pozitën e Oficerit Korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë

Më 31 Mars 2013, mbahet testi me shkrim për pozitën e Oficerit Korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë

Prishtinë, 29/03/2013

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) është duke bërë përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve të reja, ku deri në fund të këtij viti pritet edhe funksionalizimi i Burgut të Sigurisë së Lartë, si institucion shumë i rëndësishëm për këtë shërbim, ndërsa do të ndërtohen Qendra e Paraburgimit në Gjilan dhe Prishtinë, institucioni i tipit të hapur për masë korrektuese-edukuese për të mitur dhe forenzika psikiatrike e cila do të ndërtohet në bashkëpunim me Komisionin Europian, kështu tha Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së Resmi Hoxha, në një konferencë për media ku paraqiti punët dhe sfidat e këtij shërbimi, si dhe punët që janë duke u zhvilluar për mbajtjen e testit me shkrim për pozitën e Oficerit Korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë, sipas tij ndërtimi i këtyre institucioneve do të lehtësojë punën në SHKK.

Drejtori Hoxha tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës edhe pse relativisht i ri, është njëri ndër shërbimet që plotëson standardët ndërkombëtare. Sipas tij, kjo është bërë falë investimeve të mëdha që janë bërë nga Qeveria e Kosovës dhe punëve që bëhen në të.

Duke folur për punët që janë duke u bërë lidhur me mbajtjen e testit me shkrim për pozitën e Oficerit Korrektues në Burgun e Sigurisë së Lartë, Drejtori Hoxha tha se për 130 vende kanë konkurruar afër 4 mije persona. Ai tha se është formuar komisioni i cili edhe ka shqyrtuar të gjithë dokumentacionin e konkurrenteve dhe duke u bazuar në kriteret e parapara me konkurs, ka hartuar listën prej 2313 personave me të drejtë për t’ju nënshtruar provimit i cili do të mbahet të dielën me 31 Mars 2013, në lokalet e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik të Universitetit të Prishtinës. 

Duke specifikuar procedurat e mbajtjes se provimit, Drejtori Hoxha tha se të gjitha informatat rreth afateve kohore për procedurat e mëtejme të rekrutimit, si dhe emrat e kandidatëve bashkë me sqarimet e nevojshme për vendin dhe kohën e mbajtjes së testit, mund të gjendën në ueb-faqen e Ministrisë së Drejtësisë (www.md-ks.org ) në linkun „Njoftime“. 

Drejtori Hoxha tha se ka ftuar organizata të shoqërisë civile që të bëjë monitorimin e procedurave që do të zhvillohen për zgjedhjen e 130 oficereve korrektues për Burgun e Sigurisë se Lartë.

Për transparencën në procedurat e zgjedhjes se kandidatëve, ka folur edhe Drejtori i Burgut të Sigurisë së Lartë, Naim Maloku. 

Foto Galeria

Skip to content