Skip to content
Me aktivitete të ndryshme po shënohet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”

Me aktivitete të ndryshme po shënohet “Java për të Drejtat e Viktimave të Krimit”

Prishtinë, 19/10/2011

Në kuadër të aktiviteteve të shumta që po mbahen për të shënuar ”Javën për të drejtat e viktimave të krimit”, sot në Prishtinë u mbajt një ceremoni, për të nderuar viktimat me qëllim të ngritjes së vetëdijes për të drejtat e tyre.

Me këtë rast, Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha se rendi dhe ligji është prioritet i gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht është prioritet i gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që nënkupton që njerëzit të kenë respektin për dinjitetin e tyre, për të drejtat e tyre, gjatë gjithë jetës së tyre. 

“Beteja për drejtësi nuk është e lehtë, nuk është fituar kurrë deri në fund, por nuk është e pa shpresë. Betejën për drejtësi e fiton çdo qytetar kur e ka guximin, kur kemi prokurori efikase dhe gjyqësor profesional”, deklaroi Ministri Kuçi.  

Ndërsa, Kryeprokurori i Shtetit Ismet Kabashi, kërkoi angazhim gjithëpërfshirës të autoriteteve dhe mekanizmave, si dhe kërkoi përkrahjen e qytetarëve që t’iu dalin në mbrojtje viktimave, të çfarëdo natyre qofshin ato dhe kërkoi që viktimat në procedurat penale të trajtohen me drejtësi dhe dinjitet. 

Nga ana tjetër edhe kryetari i komunës së Prishtinës, z. Isa Mustafa tha se edhe kryeqyteti është i interesuar të përkrahë viktimat e krimit. Sipas tij është një qytet që gjithnjë e më tepër po popullohet dhe një qytet që ka kundërthënie zhvillimore. 

Për nderë të viktimave të krimit mysafire nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin edhe znj. Michelle Scott, Koordinatore e viktimave, për Qarkun Lindor të Karolinës së Veriut dhe znj. Joye Frost, ushtruese detyre e drejtoreshës së Zyrës për viktimat e krimit, në Washington.

Gjatë kësaj ceremonie ishin të pranishme dhe i rrëfyen historitë e tyre edhe një viktimë vendëse, e dhunës në familje, dhe një viktimë e krimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë arritur t’i tejkaloj padrejtësitë dhe shkeljet që u janë bërë dhe sot jetojnë jetën me shpresë për një të ardhme të suksesshme të tyre. 

Java për të drejtat e viktimave të krimit, do të shënohet edhe në qytete të tjera të Kosovës dhe po mbahet nën patronazhin e Kryeprokurorit të Shtetit. 

Foto Galeria

Skip to content