
Për të nderuar jetën dhe veprën e ish-ministres së Drejtësisë së Republikës së Kosovës znj. Nekibe Kelmendi, Ministria e Drejtësisë mbajti sot mbledhje komemorative.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi në fjalën e tij vlerësoi lart angazhimin dhe kontributin e deputetes Kelmendi dhe familjes së saj në përpjekjet e Kosovës për liri dhe pavarësi.
Ministri Kuçi çmoi lart kontributin e zonjës Kelmendi, si ish-ministre e Drejtësisë në ndërtimin, forcimin, reformimin dhe modernizimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe është zotuar që idetë, projektet dhe vizionin e saj për Kosovën shtet, ku do të sundojë ligji dhe drejtësia, do t’i vazhdojnë dhe t’i çojnë përpara.
Për kontributin e zonjës Kelmendi në fushën e drejtësisë në këtë mbledhje komemorative folën edhe z. Enver Peci, kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, profesor Mazllom Baraliu kryetar i Lidhjes së Juristëve të Kosovës dhe z. Musa Dragusha, kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës.
Ndërkaq në emër të familjes Kelmendi ka folur Kosovare Kelmendi, vajza e ish-ministres Nekibe Kelmendi, e cila falënderoi të pranishmit për respektin e treguar dhe bashkëpunimin që kanë pasur me ish-ministren Kelmendi e në mënyrë të veçantë ka falënderuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, për kujdesin dhe mbështetjen që i ka dhënë familjes në momentet më të vështira.
Në këtë mbledhje ishin të pranishëm edhe kryetari i LDK-së dhe i Prishtinës z. Isa Mustafa dhe shumë personalitete nga fusha e drejtësisë.