
Në sesionet e këtij Ministriali, Ministrja Haxhiu ka prezantuar punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e drejtësisë, sa i përket sundimit të ligjit, duke vënë theks të veçantë tek: reforma në drejtësi, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, krimet e luftës si dhe adresimi i dhunës në familje.
Ministrja Haxhiu theksoi se reforma në drejtësi përmes vetingut dhe reformës në Këshillin Prokurorial, konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme janë prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë për të cilat kemi punuar që nga marrja e mandatit dhe në këtë drejtim, fokusi në këto prioritete, ka bërë që puna dhe progresi të vihet re edhe në raportet ndërkombëtare.
Ministrja Haxhiu ka potencuar se Kosova në indeksin vjetor për sundimin e ligjit “World Justice Project”, radhitet e para në Evropë dhe e dyta në botë për progres në fushën e sundimit të ligjit dhe se kjo është vetëm nisja e një reforme të plotë e cila do t’i kontribuojë tutje sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.
Në adresimin e saj, sa i përket luftimit të agresionit rus në Ukrainë, Ministrja Haxhiu ka shprehur mbështetjen e plotë të Republikës së Kosovës për shtetin Ukrainas në rezistencën e tyre karshi Rusisë.
Ministrja Haxhiu shtoi se solidariteti i popullit të Kosovës me atë ukrainas është edhe i natyrshëm ngaqë për popullin e Kosovës janë ende të freskëta dhimbjet dhe përjetimet qe kishim nga regjimi i Serbisë, krimet e luftës, dhunës ndaj civileve të pafajshëm, ngjashëm me atë që Rusia sot po e shkakton në Ukrainë.