
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, priti sot në takim shefin e EULEX-it, Gabriele Meucci, me ç’rast ky i fundit e përgëzoi Ministrin Kuçi për mandatin e ri në detyrën e Ministrit të Drejtësisë.
Gjatë këtij takimi, Ministri Kuçi dhe Shefi i EULEX-it, Meucci diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë, konkretisht në sistemin e drejtësisë. Vëmendje i është kushtuar reformave në infrastrukturën ligjore, bashkëpunimin e mëtutjeshëm në mes të institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it si dhe bashkërendimin e aktiviteteve, procesin e liberalizimit të vizave dhe pallatin e drejtësisë.
Ministri Kuçi theksoi se, gjatë këtij mandati fokusi qendrorë do të jetë në ngritjen e efikasitetit të gjyqësorit dhe çështjet civile, andaj është e rëndësishme që të ketë bashkëpunim dhe koordinim në të gjitha fushat e drejtësisë me institucionet përkatëse dhe EULEX-in.
Edhe shefi i ri i EULEX-it, Meucci, është shprehur i kënaqur për bashkëpunimin e shkëlqyer që ka pasur EULEX me Ministrinë e Drejtësisë. Ai ka thënë se është e rëndësishme që bashkëpunimi të vazhdojë edhe më tutje me qëllim të forcimit të mëtutjeshëm të sundimit të Ligjit në Kosovë.