
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, priti sot në takim Shefin e EULEX-it, Gabriele Meucci.
Gjatë këtij takimi, Ministri Kuçi njoftoi shefin e EULEX-it për marrëveshjen e dialogut me Serbinë, marrëveshje kjo me të cilën do të realizohet unifikimi i sistemit gjyqësorë të Kosovës, dhe do të sigurohet funksionimi i sistemit gjyqësorë në veri duke respektuar strukturat shtetërore dhe ligjet e Kosovës.
Ministri Kuçi dhe shefi i EULEX-it, Meucci, theksuan nevojën për funksionalizimin sa më të shpejtë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, përkatësisht emërimin e anëtarëve të Këshillit me qëllim të arritjes së kuorumit përbrenda Këshillit Gjyqësorë dhe si rezultat funksionalizimin e vendimmarrjes përbrenda këtij Këshilli. Gjithashtu u theksua edhe rëndësia e procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.
Në takim u bisedua edhe për funksionalizimin e Pallatit të Drejtësisë, dhe çështjeve të ndërlidhura me të. Gjithashtu, palët u pajtuan për koordinim të mëtutjeshëm të aktiviteteve të përbashkëta në mes të Institucioneve të drejtësisë dhe EULEX-it, me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit në vend.