Skip to content
Ministri Kuçi: Do të bëjmë ligje funksionale dhe me standarde për Kosovën

Ministri Kuçi: Do të bëjmë ligje funksionale dhe me standarde për Kosovën

Prishtinë, 24/04/2015

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi sot ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Lëvizja “FOL” në të cilën u diskutua për temën “Konfiskimi i pasurisë në Kosovë, puna një vjeçare e institucioneve në Prishtinë”. 

Në këtë tryezë është diskutuar për sfidat ligjore në fushën e sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, rezultatet e institucioneve rreth sekuestrimit dhe konfiskimit të pasurisë dhe niveli i koordinimit të institucioneve të drejtësisë në këtë fushë. 

Ministër Kuçi, në këtë tryezë, tha se Kosova ka një bazë legale për konfiskimin e pasurisë dhe se ligji aktual për konfiskim e zëvendëson në një formë ligjin anti-mafia. “Ministria e Drejtësisë do të amandamentoj Ligjin për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale në mënyrë që barra e provës të bie mbi zyrtarët e lartë publik”, ka thënë Kuçi.

Gjithashtu Ministri Kuçi tha se është duke u krijuar një Fond për kompensimin e viktimave të krimit. Sipas tij, Kosova ka ligje të mira por ka nevojë të punohet më shumë në zbatimin e tyre dhe këtu ka disa shkarje sepse fokusi është më shumë në dënimin e personit se sa në konfiskimin dhe sekuestrimin e pasurisë së tij.

Fokusi duhet të jetë te një koordinim më i mirë i institucioneve duke përfshirë këtu edhe Doganën dhe ATK-në të cilat janë të parat që ballafaqohen në këtë fushë, shtoi Kuçi.  

Foto Galeria

Skip to content