Skip to content
Ministri Kuçi ftoj qytetarët që të këshillohen me avokatët para se të kryejnë punë juridike

Ministri Kuçi ftoj qytetarët që të këshillohen me avokatët para se të kryejnë punë juridike

Prishtinë, 10/06/2015

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar nga Oda e Avokatëve, me rastin e shënimit të manifestimit  “Dita e Avokatisë 2015” dhe njëkohësisht 42 vjetorin e themelimit të saj.

Me këtë rast, Ministri Kuçi, pasi ka përshëndetur këtë manifestim në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si Ministër i Drejtësisë, duke folur për rëndësinë e profesionit të avokatit, tha se Avokatia është një prej shtyllave kryesore të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës. 

“Më lejoni të shpreh gjithë admirimin për këto 42 vite me radhë për avokatët tanë të cilët kanë bërë emër në drejtësi, duke mbrojtur klientët e tyre, jo nga drejtësia por nga padrejtësitë, dhe sot për të gjithë ata që e kryejnë punën e avokatit me nder, përkushtim, profesionalizëm dhe paanshmëri”, tha Kuçi. 

Ministri Kuçi tha se, profesioni i avokatit në Republikën e Kosovës, ashtu si edhe në vendet tjera demokratike, luan rol të rëndësishëm për sistemin e drejtësisë dhe për këtë është angazhuar që avokatët të kenë pozitën e merituar. “Në punën time, në ndërtimin e politikave të drejtësisë, në Republikën e Kosovës, kam pasur parasysh atë që e quajmë “barazia e armëve”, me këtë mbi të gjitha do të thoja që në procedura dhe shqyrtime të ndryshme, palët, qoftë pala akuzuese apo mbrojtëse, duhet të jenë të barabartë, dhe besojë që këtë ndryshim e keni vërejtur çdo ditë në procedurat tona”.

Profesioni i avokatit, shtoi Ministri Kuçi,  tanimë e ka edhe një rol tjetër, jo vetëm si korrektor i sistemit të drejtësisë. Besoj se çdo person fizik apo juridik ka nevojë që të ketë avokatin e tij, dhe puna e avokatit më e dobishme për sistemin e drejtësisë duhet të jetë në ofrimin e këshillave për ata individ, qoftë persona fizik apo juridik, se sa veprimet pastaj të cilat mund të jenë inkriminuese për shqyrtim në organet e gjyqësisë, tha Kuçi.

Ministri Kuçi tha se, motoja e këtij mandati është “Besimin në Drejtësi” dhe se roli i avokatëve në këtë drejtim është tejet i rëndësishëm. “Njerëzit e parë të cilët duhet t’i besojnë drejtësisë, kur ajo është për t’i besuar, janë avokatët. Unë kërkoj korrektimin dhe besimin e parë nga avokatët. Nëse Avokati beson se pas një rasti gjyqësorë, çdo gjë ka qenë në përputhje me ligjin, unë besoj se është hapi i parë për ta ndërtuar besimin në drejtësi, dhe në këtë drejtim ju ftoj që të jeni të zëshëm në raport me gjyqtarin por edhe prokurorin” tha Kuçi.

Kuçi tha se gjatë mandatit si Ministër,  në ndërtimin e arkitekturës së drejtësisë, rol të veçantë i ka kushtuar pozitës së avokatëve. “Nuk kam menduar asnjëherë që ta nënvlerësoj punën e avokatëve, e aq me pak ti zvogëloj kompetencat e tyre. 

Kam parë përvoja të ndryshme në rajon dhe më gjerë, dhe kam ardhur në përfundim që shumë shpejt do të amandamentoj ligjin për noterinë, që fillimisht puna e juaj juridike e cila ka qenë deri më tani, nuk do të nënvlerësohet, si dhe të ketë kontrata të veçanta, jo vetëm të kenë njohuri për rastin, por duhet të kenë njohuri të thella juridike, dhe unë besoj në këtë, dhe në mënyrë takstative, me ligj do ta bëjmë një gjë të tillë” tha Kuçi.

Ministri Kuçi, ka ftuar avokatët në Republikën e Kosovës, në veçanti avokatët e rinj, që të shkëmbejnë eksperiencat e tyre me kolegët në rajon dhe më gjerë. Ai tha se, Kosova shumë shpejt do të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe do të ketë nevojë për njerëz me eksperienca të mira dhe konkurruese me vendet e tjera.

“Avokatët nuk janë asnjëherë në anën e kundërt të ligjit por janë brenda tij dhe ata ndihmojnë të tjerët të sundojnë ligjin me ligj. Avokatët e fort, drejtësia do të jetë e fortë, e kundërta e saj, do të frikësohemi nga gjyqtarët dhe prokurorët” shtoi Kuçi.

Në fund të fjalës së tij, Ministri Kuçi tha se në këtë vend, ai i cili e shkel ligjin duhet të jetë në frikë gjithë jetën, ndërsa ai i cili nuk e ka shkelur ligjin do të ketë siguri juridike për tërë jetën dhe këtë gjë fillimisht e vërejnë avokatët. 

Foto Galeria

Skip to content