Skip to content
Ministri Kuçi: Fuqizoni drejtësinë dhe rolin e femrës në shoqëri

Ministri Kuçi: Fuqizoni drejtësinë dhe rolin e femrës në shoqëri

Prishtinë, 18/12/2015

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takim vjetor të forumit të gjyqtareve dhe prokuroreve.

Më poshtë gjeni fjalimin e plotë të Ministrit Kuçi të mbajtur gjatë këtij forumi:

“Të nderuar të pranishëm,

Dëshiroj të ju falënderoj për ftesën për të marrë pjesë në këtë forum. Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem një ithtar i të drejtave të barabarta, mbështetës dhe vlerësues i rolit të femrës në të gjitha aspektet zhvillimore të një shoqërie. 

Historia nuk ka qenë e drejtë asnjëherë ndaj femrave, dhe roli i tyre në shoqëri nuk është vlerësuar sa duhet. Në Kosovë fatkeqësisht kjo është edhe më e shprehur për shkak të ndikimeve tradicionale në shoqëri. E kam thënë edhe shumë hera të tjera dhe po e përsëris se femra është shtylla e familjes dhe shoqërisë dhe sado që ndoshta nuk shprehet shumë unë besoj që roli i femrës në të gjitha aspektet e zhvillimeve të shoqërisë ka qenë dhe është i paçmueshëm.

Roli i femrave në shoqëri është dëshmuar në vazhdimësi. Nuk dëshiroj të mbaj ligjëratë historike, por është interesante se si disa nga zhvillimet më interesante dhe më me rëndësi në botë kanë filluar apo janë shtyrë pikërisht nga femrat. 

Rosa Parks,  besoj që për shumë prej jush ky emër është ndoshta jo shumë i njohur. Të gjithë kemi dëgjuar për Martin Luter Kingun dhe rolin e tij në Lëvizjen për të Drejtat Civile në Amerikë, për të drejtat e barabarta për personat Afro-Amerikanë. 

Por pak njerëz ndoshta e dinë se i tërë Revolucioni ka filluar si rezultat i këmbënguljes së një gruaje të thjeshtë me emrin Rosa Parks, e cila një ditë kishte këmbëngulur që të mos e lironte ulësen në autobus përkundër urdhrit të shoferit që të bënte një veprim të tillë. Në atë kohë në autobus primat në ulëse gjithmonë kishin pasur personat me ngjyrë të bardhë, ndërsa personat me ngjyrë kanë qenë të udhëzuar të ulen në pjesën e pasme të autobusit ose të rrijë në këmbë.

 Rosa Parks kishte refuzuar të ngrihej nga karrigia në mbrojtje të së drejtës së saj, dhe si rezultat i arrestimit të saj ka filluar edhe Lëvizja për të drejtat civile, që ka rezultuar në ndryshime drastike të qasjes ndaj personave Afrikano-amerikanë. 

Nëse kthehemi në një histori më të vonë, rastin e Kosovës, ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë të diskutimit politik ndërkombëtarë gjatë periudhës 1998-1999. Kur bota përkundër krizës humanitare nuk ishte e gatshme të intervenonte në Kosovë. Një ndër personat kyq që ka ndikuar në ndërrimin e kësaj qasje, dhe ka shtyrë në realizimin e intervenimit humanitarë në Kosovë, është pikërisht një femër, sekretarja e atëhershme e SHBA-ve, znj. Madlein Albright. 

Sot, ne jetojmë në një realitet botëror kur në vitin 2015, person i vitit nga TIME’s, si një ndër personat më të fuqishëm, më të respektuar dhe më me autoritet në botë është pikërisht një femër. Kancelaria Gjermane, Angela Merkel, e cila gjatë këtij viti ka dëshmuar në mënyrë shumë interesante se femrat janë ato që shpesh herë janë të gatshme të marrin vendime revolucionare, si ai  i Kancelarës për të hapur dyert për refugjatët nga Siria. 

Pa dashur të hy në analiza psikologjiko-sociale, por është e dëshmuar historikisht se femra ka dy veti shumë të fuqishme – këmbëngulësinë dhe ndjeshmërinë. Edhe rastet që i përmenda më lartë, janë rezultat i disa femrave që kanë qëndruar prapa këtyre dy vetive. 

Unë sot, ju drejtohem juve, për t’u thënë se edhe Kosovës sot i duhen femra që veprojnë në bazë të këtyre vetive. I duhen gjyqtare dhe prokurore që me përgatitje profesionale që janë të gatshme që të bëjnë ndryshime dhe t`u ofrojnë qytetarëve besim në Sistemin e Drejtësisë. 

Qytetarët e Kosovës, kanë nevojë që t`u kthehet besimi në Drejtësi. Besimin e qytetarëve në drejtësi, nuk mund ta kthejmë përmes kampanjave televizive, përmes konferencave apo formave publicistike. Besimin në drejtësi mund ta kthejmë përmes vendimeve gjyqësore me të cilat qytetarët realizojnë të drejtat e tyre.

Pse roli i gjyqtareve dhe prokurorëve femra është kyç në këtë pikë?

Sot sistemi i drejtësisë, ndoshta gjysma  e rasteve ose të paktën rastet më të rënda dhe më të ndjeshme me të cilat përballet, janë rastet e dhunës në familje, rastet me viktimat e ndjeshme, të mitur dhe gjithashtu raste të shumta edhe në aspektin civil me çështjet e trashëgimisë, besimin e fëmijëve etj. Të gjitha këto janë raste të ndjeshme, qofshin ato penale apo civile.

Prokuroret dhe gjyqtaret femra mund të kenë rol përcaktues në këto procedura. Duke iu referuar procedurave penale të rasteve më të ndjeshme të dhunës në familje, të trafikimit të qenieve njerëzore – në këto raste përveç se kërkohet përgatitje profesionale përmbi të gjitha kërkohet qasje njerëzore nga prokurorët dhe gjyqtarët ndaj viktimave.

Andaj ju si prokurore dhe gjyqtare, mund të ndikoni në krijimin e një realiteti të ri në Kosovë, përmes përkushtimit dhe këmbëngulësisë të ndiqen rastet e tilla dhe të rezultojnë në aktgjykime dënuese. Vetëm në këtë formë do të krijohen raste precedent, t`i jepet fund mosndëshkimit, dhe të krijohet besueshmëri tek viktimat e ndjeshme se në sistemin e drejtësisë ekzistojnë prokurore dhe gjyqtare që, pikë së pari e kuptojnë me empati situatën e tyre dhe janë të gatshme t`i ndihmojnë ato deri në fund të procedurave gjyqësore, si profesioniste të mira por edhe si humaniste të mira.

Në anën tjetër, sot ne çdo ditë shohim në praktikë që përkundër legjislacionit të duhur, femrat ende vazhdojnë të mos gëzojnë të drejtat e tyre në trashëgimi, në prona apo në besim të fëmijëve. Kush më mirë se ju, mund ta kuptojë rëndësinë e këtyre të drejtave dhe të ndikojë në ndërrimin e praktikave të deritanishme, duke faktorizuar  gruan në këto procedura dhe duke kontribuuar që ato të realizojnë të drejtat e tyre.

Andaj unë iu ftoj që duke pasur në konsideratë rolin tuaj me ndikim në sistemin gjyqësor të Kosovës dhe në jetën shoqërore në përgjithësi, të bëheni faktor i këtyre ndryshimeve dhe të kontribuoni në përmirësimin e pozitës së femrave në Kosovë por edhe mbrojtjen e tyre.

Ju faleminderit”

Foto Galeria

Skip to content