
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka uruar z. Enver Peci për rizgjedhjen e tij në krye të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. Në telegramin e urimit të Ministrit Kuçi thuhet:
I nderuari z. Peci,
Më lejoni që përmes kësaj letre të shpreh urimet e mia më të sinqerta për riemërimin tuaj në krye të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Unë jam i bindur që përkushtimi juaj ndaj punës së mirëfilltë të gjyqësorit në Kosovë, si në të kaluarën ashtu edhe tani, do të jetë shtytësi kryesor drejt zbatimit të reformave të nisura të gjyqësorit me qëllim të arritjes së nivelit të sundimit të ligjit që ne e aspirojmë.
Në mandatin tuaj të ri, unë shpresoj se do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të devotshëm për të siguruar pavarësinë e gjyqësorit në secilën sferë të punës së tij. Kjo detyrë e jona e përbashkët është tejet e rëndësishme sidomos tani, kur Kuvendi i Republikës së Kosovës pritet ta miratojë Amendamentin Kushtetues për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës. Gjyqësori në Kosovë tani më tepër se kurrë ka në dorë të ardhmen e tij të pavarur, të cilën duhet ta zbatojë në drejtim të përmirësimit të shërbimeve për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Duke pasur parasysh këtë vizion, duhet të punojmë që të rrisim llogaridhënien e gjyqësorit drejtë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Siç e kemi diskutuar edhe më parë, njëra nga mënyrat se si kjo mund të bëhet është pikërisht rritja e transparencës së punës së përditshme të gjyqësorit, me mbajtjen publike të gjykimeve dhe publikimin e detyrueshëm të aktgjykimeve të të gjitha niveleve të gjyqësorit tonë. Në këtë mënyrë, gjyqësori jonë jo vetëm që do të përmbushë detyrimet e tij për transparencë ndaj publikut, por gjithashtu do ta ketë më të lehtë të dëshmojë punën e madhe që ai bën çdo ditë në mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të qytetarëve.
Në lidhje me këtë, si Ministër i Drejtësisë unë pres që bashkëpunimi ynë në këtë sferë të ketë për qëllim kryesor rritjen e besimit të qytetarëve në drejtësinë dhe gjyqësinë e vendin tonë. Zbatimi i reformave që i kemi nisur së bashku tash e një kohë, është elementi kyç për të arritur këtë ideal. Rrjedhimisht, tani që sistemi ynë i drejtësisë ka afërsisht të gjitha politikat të fuqishme dhe unike që i nevojiteshin për shumë kohë, unë do të drejtoj Ministrinë e Drejtësisë këtë vit më tepër drejtë bashkëpunimit më të ngushtë me KGJK-në për t’u përkujdesur në zbatimin e ligjeve të cilat i kemi sjellë së bashku në dy vitet që lamë pas.
Unë besoj fuqishëm që njëri nga hapat e parë që duhet hedhur në këtë drejtim duhet të jetë reduktimi i numrit të lëndëve në gjykata. Ministria e Drejtësisë, me kompetencat që ajo gëzon, është munduar maksimalisht që të ndihmojë në këtë drejtim duke funksionalizuar të gjitha mjetet e zgjidhjes alternative të mosmarrëveshjeve. Ndërkohë që këto iniciativat tona po tregojnë frytet e tyre të para, konsideroj se së bashku do të arrijmë të formësojmë dhe realizojmë idetë tjera të cilat tashmë ua kam paraqitur gjatë diskutimeve tona të përbashkëta. Ndër të tjera, duhet të konsiderojmë së bashku idenë për të adresuar problemin e numrit të madh të lëndëve përmes formimit të një task force gjyqtarësh të cilët mund të angazhohen ekskluzivisht për këtë qëllim.
Unë mirëpres bashkëpunimin tuaj të ngushtë veçanërisht në amandamentimin e pakos së ligjeve për gjyqësorin të cilin e kemi nisur së bashku për të adresuar sfidat të cilat gjyqësori ynë i ka hasur në të kaluarën. Në mesin e këtyre sfidave është përmendur disa herë edhe vështirësia e rekrutimit të numrit të nevojshëm të gjyqtarëve në përputhje me nevojat e vendit tonë. Prandaj, unë mbështetem në bashkëpunimin tuaj për të përfshirë në legjislacion politika më të lehtësuara për rekrutimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në të ardhmen. Parashtrimi i kushteve më fleksibile për gjyqtarë do të mundësojë angazhimin e gjyqtarëve të ri në gjykata, të cilët do të sjellin përvoja dhe ide të reja në gjyqësinë Kosovare.
Këto politika të reja do të kontribuonin tej mase në ngritjen e kapaciteteve të gjyqësorit, e cila besoj se është edhe prioriteti juaj kryesor, së bashku me aktivitetet tjera për ngritje të kapaciteteve të implementuara sidomos së bashku me Misionin e EULEX-it në Kosovë. Tani që Ministria e Drejtësisë po i afrohet realizimit të projektit për themelimin e Akademisë së Drejtësisë, më lejoni të rikujtoj që ngitja e kapaciteteve të gjyqtarëve do të bëhet shumë më e lehtë dhe më efikase.
Objektivat e përbashkëta të misionit të EULEX-it, KGJK-së dhe Ministrisë së Drejtësisë për ngritje të kapaciteteve të gjyqësorit, duhet të shërbejë si shtyllë kryesore e punës sonë të përbashkët gjatë mandatit tuaj të ri. Duke e thelluar bashkëpunimin e këtyre tri institucioneve, do të angazhohemi së bashku për realizimin e një tranzicioni të mirëfilltë dhe të lehtë të misionit të EULEX-it, përcjellë me transferimin gradual të kompetencave nga ky mision tek institucionet vendore.
Unë jam i bindur që reformat që tashmë i kemi nisur së bashku, do të arrijnë suksesin e dëshiruar vetëm përmes punës sonë të përbashkët dhe të devotshme. Më lejoni që edhe një herë të shprehë falënderimin tim të sinqertë për përkushtimin tuaj ndaj sundimit të ligjit në të kaluarën si dhe besimin tim të plotë që kjo nuk do të ju mungojë as në mandatin tuaj të ardhshëm.
Si Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë, dua të shfrytëzoj këtë rast për të rikujtuar mbështetjen time absolute për të garantuar mirëqenien e gjyqësorit në Kosovë, si themel i palëkundur i sundimit të ligjit në vendin tonë.
Për fund, dëshiroj që të shpreh konsideratën time më të lartë për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, duke ju uruar që puna juaj gjatë këtij mandati të shquhet si punë parimore dhe plot suksese.
Me respekt,
Prof. Dr. Hajredin Kuçi,
Zëvendëskryeministër dhe Ministër i Drejtësisë