Skip to content
Ministri Kuçi: Kur kemi barazi gjinore, kemi shoqëri të barabartë

Ministri Kuçi: Kur kemi barazi gjinore, kemi shoqëri të barabartë

Prishtinë, 22/04/2015

Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Ministrinë e Drejtësisë në bashkëpunim me USAID, në të cilën është diskutuar për çështjet gjinore, pronësore dhe mundësitë ekonomike në Kosovë. Diskutimi është mbajtur në kuadër të programit për të Drejtat Pronësore, program që është dizajnuar për të përmirësuar regjimin e të drejtave pronësore, për të forcuar sundimin e ligjit dhe për të shtuar rritjen ekonomike dhe investimet në Kosovë.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, Ministri Kuçi ka thënë se bashkëpunimin të cilin e kanë me USAID në rregullimin e çështjeve pronësore, që është edhe një nga prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, do të lë gjurmë pozitive për vendin dhe shoqërinë në tërësi. 

“Gjatë këtij mandati, kam filluar një sërë nismash për të avancuar dhe harmonizuar legjislacionin që rregullon çështjet pronësore, duke u përqendruar edhe në zbatimin në praktikë të kornizës ligjore. Me këto përpjekje dua që përfundimisht të vejmë në binar sektorin e të drejtave pronësore dhe statusin e pronave në Kosovë”, ka thënë Kuçi.

Ministri Kuçi ka thënë se Ministria e Drejtësisë ka filluar punën për hartimin e kodit civil, për të cilin ka marrë mbështetje të plotë nga akterët vendor dhe ndërkombëtar, që pritet të jetë një kod civil funksional dhe me standarde të avancuara. Sa i takon çështjeve pronësore, në veçanti kur ka të bëjë me barazinë gjinore, Ministri  Kuçi tha se ato duhet të shihen si çështje të barazisë së qytetarëve në vendin tonë. 

Me këtë rast Ministri Kuçi, ka theksuar edhe krijimin e grupit punues për hartimin e një koncept dokumenti për të drejtën trashëgimore tek gratë. Sipas tij, ky grup punues do të analizojë kornizën ligjore dhe vështirësitë për të implementuar atë në praktikë, ku në bazë të gjetjeve, ky grup punues do të rekomandojë, po që se është e nevojshme, amandamentimin e kornizës së tanishme ligjore.

“Si Ministër i Drejtësisë, jam i përkushtuar që të krijojmë parakushte ligjore për të drejta të barabarta në trashëgimi, qoftë e nevojshme edhe ndryshimi i dispozitave ligjore për të siguruar që gratë të mendohen mirë para se të heqin dorë nga e drejta trashëgimore e garantuar”, ka thënë Kuçi.

Ai tha se duhet të kemi parasysh se si institucionet relevante, gjykatat apo noterët, po shtjellojnë rastet, ku duhet të qartësohet roli dhe fushëveprimi i noterëve në rastet e trashëgimisë dhe në anën tjetër, është më rëndësi hartimi dhe aplikimi i procedurave të rrepta gjyqësore për ushtrimin  e së drejtës për të hequr dorë nga trashëgimia. Aty ku nuk ka barazi gjinore, nuk ka as shoqëri të barabartë, shtoi ai.

Kuçi ka premtuar se ligjet e amandamentuara do të sigurojnë barazi të plotë, duke marrë parasysh rekomandimet e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtar.  I gjithë ky mund është i pashmangshëm për të ndërtuar vlera të cilat do t’i kontribuojnë shoqërisë jo vetëm sot, por edhe dhe në të ardhmen.

Në këtë tryezë kanë marrë pjesë, drejtori i Misionit të USAID në Kosovë, James Hope, Drejtori i Programit për të Drejtat Pronësore, Jack Keefe, përfaqësues të gjyqësorit, noterë, si dhe ekspert të tjerë vendor dhe ndërkombëtar, të cilët kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë aktivitet që synon të adresojë sfidat e ndërlidhura me të drejtën pronësore dhe të zhvillojë një plan për të përmirësuar regjimin e të drejtave pronësore në Kosovë. 

Foto Galeria

Skip to content