
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, po qëndron në Beograd, ku po merr pjesë në forumin ministror “BE – Ballkani Perëndimor”, të organizuar nga Presidenca Italiane e Këshillit Evropian dhe Komisioni Evropian, në të cilën po marrin pjesë edhe ministra të vendeve tjera të rajonit.
Në këtë forum, po diskutohen temat e funksionimit të drejtësisë, bashkëpunimit juridik dhe të drejtat fondamentale të njeriut, me fokus të veçantë, të drejtat e femrave dhe fëmijëve.
Në fjalën e tij, Ministri Kuçi tha se, Ministria e Drejtësisë është angazhuar në krijimin e një infrastrukturë moderne ligjore për fushën e drejtësisë. Duke theksuar se në gjithmonë në diskutimet për drejtësi, veçanërisht për gjyqësorin, vend të veçantë zënë të drejtat e qytetarëve.
“Puna jonë konkrete si Ministri e Drejtësisë, ka pasur për qëllim hartimin e një infrastrukture ligjore në përputhje me standardet Evropiane, si dhe përmirësimi i kushteve fizike të punës së institucioneve të gjyqësorit dhe prokurorisë. Besoj se kemi arritur të krijojmë një infrastrukturë ligjore solide, që u krijon kushte të volitshme gjyqtarëve dhe prokurorëve për të kryer detyrat e tyre me sukses dhe për të luftuar krimin”, ka thënë Kuçi.
Ndër të tjera Ministri Kuçi, informoi të pranishmit për reformat e ndërmarra në drejtësi, si në aspektin e konsolidimit të kornizës ligjore edhe në forcimin e kapaciteteve të resurseve njerëzore, me qëllim të forcimit të mëtutjeshëm të sundimit të ligjit në Kosovë.
Ndër çështjet e rëndësishme të diskutimit të forumit ndër-ministrorë është edhe bashkëpunimi rajonal në fushën civile dhe penale. Çështje kjo për të cilën Ministri Kuçi, ka ritheksuar gatishmërinë e Kosovës për të bashkëpunuar me të gjitha vendet e rajonit me qëllim të luftimit të veprimeve kriminale.
Ministri Kuçi ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në çështjet civile, me qëllim të lehtësimit të procedurave për qytetarët e të gjitha vendeve të rajonit dhe më gjerë.