
Ministri i Drejtësisë Prof. Dr. Hajredin Kuçi, po merr pjesë në “Samitin Global për Drejtësi”, që po mbahet në Londër nën patronatin e Qeverisë Britanike, forum ky që ka sjellë në Londër më shumë se 2000 pjesëmarrës, ministra të drejtësisë, gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe figura eminente të drejtësisë nga e mbarë bota.
Samti Global për Drejtësi është organizuar me moton e promovimit të ‘nxitjes së inovacioneve ligjore’ dhe në fokus ka diskutimin për zhvillimet e fundit ligjore në botë, rritjen e llogaridhënies dhe efektivitetin e sistemit gjyqësorë, zhvillimet e trendëve ligjore dhe rolin e tyre në fushën e ekonomisë, dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me Kartën e Madhe të Lirive (Magna Carta Libertatum) dhe evolucionin e këtyre te drejtave. Ky vit njëkohësisht shënon edhe 800 vjetorin e proklamimit të Kartës së Madhe të lirive.
Në margjinat e Samitit Global për Drejtësi, Ministri Kuçi u takua me homologë nga vendet e ndryshme të botës, ndër tjera edhe me Lord Chris Grayling, Sekretarë për çështje të Drejtësisë i Mbretërisë së Bashkuar. Kuçi dhe Lord Grayling diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për bashkëpunimin në mes të dy vendeve në fushën e Drejtësisë.
Në ditët në vijim, Ministri Kuçi pritet të marrë pjesë edhe në një sërë evenimentesh në kuadër të Samitit, në panelet e shumta të diskutimit rreth zhvillimit të trendëve të drejtësisë në botë, ndër tjera në pritjen mbretërore të organizuar nga Mbretëresha Elisabeth II.