
Sot është mbajtur takimi i Komisionit Qeveritarë për Persona të Pagjetur, në të cilin ka marrë pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, i cili shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovë për të ndihmuar procesin e identifikimit të personave të pagjetur.
“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju garantoj se keni mbështetjen e plotë, çoftë logjistike, financiare apo edhe politike. Për ne ka qenë prioritet çështja e personave të pagjetur si në kontaktet tona të drejtpërdrejta politike me cilindo akter, qoftë ndërkombëtarë apo edhe me ata të Serbisë. Me këtë rast kam parasysh bazën ligjore, institucionale dhe atë buxhetore të cilën e kemi krijuar, ku është kryer një pune e mirë dhe e koordinuar sipas ligjit. Procesi ka filluar që të merr drejtim të dëshiruar, për çka falënderoj Komisionin Qeveritar për Personat e Pagjetur, për punën e bërë dhe në veçanti familjarët e personave të pagjetur. Ne do të jemi të përkushtuar dhe çdo lëvizje buxhetore e cila do të jetë për cilëndo kategori të personave, këtu do të përfshihen edhe familjet e personave te pagjetur.
Ministri Kuçi ripërsëriti sugjerimin e tij që çdo komunë të ketë nga një zyrtar i cili do të jetë i angazhuar për personat e pagjetur dhe tha se këtë kërkesë do t’ua dërgojë me shkrim të gjithë kryetarëve të komunave.
Ministri theksoi se mbajtja e kontakteve me Serbinë është më se e rëndësishme, pasi çdo informatë do të shërbej në zbardhjen e personave të pagjetur dhe në këtë drejtim, Ministri Kuçi bëri të ditur se Qeveria e Kosovë është e gatshme që të paguaj edhe ndonjë shpërblim në rast të informacioneve të sakta për varreza masive. Ai tha se Qeveria e Kosovës është e gatshme që të bëjë hulumtime në çdo pjesë të vendit, nëse ka dyshime për ndonjë varrezë masive, por ai shtoi se të njëjtën gjë e pret edhe nga Serbia.
Në takim, Ministri Kuçi bëri të ditur se nuk do të ketë normalizim të raportit Kosovë- Serbi, pa identifikimin e personave të pagjetur. Ai tha se edhe gjatë dialogut Prishtinë-Beograd, kjo çështje është diskutuar në tri takimet e zhvilluara në Bruksel.