
Rreth 30 studentë të Universitetit Amerikan të Romës, të shoqëruar nga profesori James Walston, sot kanë vizituar Ministrinë e Drejtësisë ku janë pritur nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi.
Në fjalën e tij para studentëve nga Roma, Ministri Kuçi fillimisht ka folur në përgjithësi për prioritetet e Qeverisë së Kosovës në arritjen e sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe integrimit europian. Ministri Kuçi u fokusua në reformimin e sistemit të drejtësisë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, investimet e huaja, bashkëpunimin me institucionet ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë dhe dialogun me Serbinë.
Ministri Kuçi ka thënë se Kosova ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në drejtësi dhe këtë së pari e ka filluar duke krijuar një infrastrukturë të mirë ligjore, me standarde ndërkombëtare dhe ka krijuar institucione që merren me luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe dukurive tjera negative. Ai tha që punë më e madhe mbetet të bëhet tani nga institucionet përkatëse në implementimin e tyre.
Ministri Kuçi vlerësoi lartë punën e institucioneve ndërkombëtare siç është EULEX, Zyra e BE-së, Ambasada Amerikane dhe shumë institucione tjera të cilat mbështesin fuqishëm punën e përditshme të institucioneve të Kosovës.