Skip to content
Ministri Kuçi rikujton rëndësinë e çështjes së të pagjeturve

Ministri Kuçi rikujton rëndësinë e çështjes së të pagjeturve

Prishtinë, 15/03/2013

Sot, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur në takim një delegacion të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Misioni në Kosovë, të kryesuar nga Shefi i Misionit, Agim Gashi. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe Kryetari i Komisionit Ndërqeveritar për Persona të Pagjetur, Prekë Gjetaj.

Në takim u diskutua për disa nga çështjet kryesore të cilat sfidojnë procesin e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur. Me këtë rast, Ministri Kuçi ritheksoi mbështetjen dhe nevojën për angazhimin e tij direkt në këtë proces dhe përkushtimin e tij ndaj drejtimit të këtij procesi deri në gjetjen e çdo personi të zhdukur. 

Ministri Kuçi kërkoi nga të gjitha palët e përfshira në proces që të bëjnë një plan konkret me detyrat dhe afatet e përcaktuara kohore brenda të cilit këto detyra duhet të përmbushen. Ai tha se një plan i tillë konkret do të ndihmoj që të shtyjë këtë çështje përpara deri në gjetjen e secilit person të zhdukur në luftën e fundit, të çfarëdo kombësie që janë. Për këtë, Ministri Kuçi theksoi se është e domosdoshme që bashkëpunimi ndërmjet dy palëve në grupin punues ndërshtetëror të jetë i vazhdueshëm dhe të shërbejë si forum i shkëmbimit të informatave nga të dy palët.  

Komiteti i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Komisioni Ndërqeveritar për Persona të Pagjetur dhe Ministri Kuçi, theksuan se problemet aktuale të cilat kryesisht sfidojnë dhe e ngadalësojnë këtë proces kanë të bëjnë kryesisht edhe me mungesën e informatave të reja, e cila lidhet ngushtë edhe me mos-ofrimin e informatave nga Serbia. 

Ministri Kuçi, sugjeroi që ajo e cila do ta ndihmonte më shumë këtë proces do të ishte angazhimi i plotë i zyrtarëve komunal për persona të pagjetur në secilën komunë. Duke rikujtuar se këta zyrtarë kanë filluar punën në disa nga komunat e Kosovës,  por bashkëpunimi i njëjtë nuk është hasur në të gjitha komunat. Prandaj, ai ftoi akterët tjerë përgjegjës për këtë, që të kyçen në këtë proces dhe të angazhohen më shumë në punësimin dhe funksionalizimin e zyrtarëve komunalë për personat e pagjetur, ngase afërsia e tyre me qytetarët në secilën komunë, do të çojë më lehtë te marrja e informatave të reja dhe rrjedhimisht edhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve.  

Ministri Kuçi ritheksoi se kjo çështje tashmë është ngritur në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por e cila do të diskutohet më në detaje në raundet e ardhshme të tij. 

Megjithatë, theksoi Ministri Kuçi, ndonëse kjo çështje do të diskutohet në nivel kryeministrash, është tejet e rëndësishme që ajo të mbetet më shumë çështje humanitare sesa politike. Prandaj, pavarësisht diskutimeve në nivelin politik, interesi i të dyja palëve që të gjinden personat e pagjetur duhet të jetë shtytësi kryesor i bashkëpunimit të palëve në nivel teknik.  

Foto Galeria

Skip to content