
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, priti sot në një takim Drejtoreshën e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz-Gallucci, me të cilën ka biseduar për bashkëpunimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës me Këshillin e Evropës dhe Zyrën e KE-së në Prishtinë.
Ministri Kuçi, gjatë këtij takimi, ka theksuar se bashkëpunimi, sidomos në fushën e sundimit të ligjit, është thelluar dukshëm. Ai ka falënderuar Drejtoreshën e Zyrës së KE-së në Prishtinë, znj. Servoz-Gallucci dhe zëvendësin e saj, zt. Andrew Forde, për dizajnimin dhe implementimin e projekteve të përbashkëta që ndërlidhen ngushtë me prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Qeverisë së Kosovës. Në veçanti, Ministri Kuçi ka përgëzuar përmbylljen e projektit PECK, që ka qenë njëri prej projekteve më ambicioze për adresimin e korrupsionit, shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit.
Të dyja palët kanë shprehur gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe përmes projekteve të reja. Gjithashtu, gjatë takimit, është diskutuar edhe për mundësitë e shumta për asistencë dhe bashkëpunim që ofron Komisioni i Venecias, mekanizëm i Këshillit të Evropës në të cilin Republika e Kosovës është anëtare e plotë.
Në fund të takimit, Ministri Kuçi ka përsëritur vullnetin e institucioneve të Republikës së Kosovës për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur.