Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot priti në takim Shefin e ri të EULEX-it, Gabriele Meucci, me ç’rast e përgëzoi për detyrën e re, si Shef i Misionit të EULEX-it, duke i uruar mirëseardhje në Kosovë.
Gjatë këtij takimi, Ministri Kuçi dhe Shefi i EULEX-it, Meucci diskutuan për zhvillimet e fundit në Kosovë, konkretisht në sistemin e drejtësisë, përfshirë këtu edhe rikonfigurimin e misionit të EULEX-it dhe procesin e transferimit të kompetencave nga Misioni i EULEX-it tek institucionet vendore.
Ministri Kuçi theksoi se, transferimi i kompetencave nga EULEX-i tek institucionet e Kosovës është një arritje jo vetëm për institucionet e Kosovës, por edhe sukses për Misionin e EULEX-it, që ndër të tjera ka për synim edhe ngritjen e kapaciteteve të stafit lokal të institucioneve të Kosovës.