
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka pritur në takim Gunter Stock, Kryetar i Federatës së Akademive Evropiane, i cili ishte i shoqëruar nga Hivzi Islami, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), dhe Akademik Rexhep Ismaili.
Ministri Kuçi ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë që ka ASHAK-u me Akademitë Evrpiane dhe njëherësh ofroi mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës për punën e pavarur shkencore të ASHAK-ut, duke i inkurajuar bashkëpunimin me Akademitë Evropiane.
“Bashkëpunimi ka për qëllim forcimin e kualitetit të punës që e bëjmë ne. Diskutuam edhe për disa projekte konkrete sidomos në fushën që ka të bëjë me teknologjinë informative, bashkëpunimin në fusha mjekësore dhe bashkëpunime tjera në mes të dy akademive. Premtova që Qeveria e Kosovës në kuadër të kapaciteteve të saja do të ndihmojë”, tha Kuçi.
Kryetar i Federatës së Akademive Evropiane, Gunter Stock, pasi falënderoi Akademinë e Kosovës që ka mundësuar vizitën e tij dhe Zëvendëskryeministrin për pritjen që i ka bërë, tha se kanë biseduar për të ardhmen e shkencës në Evropë, për gjeneratën e re, për të ardhmen e ekonomisë. Ai tha se të gjitha këto janë të varura nga shkenca dhe pa rini të edukuar mirë nuk do të arrihet të sfidohet e ardhmja. “Ishte shumë inkurajuese të dëgjojë nga zëvendëskryeministri atë që është interes i përbashkët dhe do të dëshiroja që të kemi një bashkëpunim më të mirë midis akademive. Akademia e jonë në Berlin është e bazuar në shkencë dhe kjo synon që të jetë më ideale për të ardhmen”, tha Stock.
Akademik Hivzi Islami tha se ASHAK-u, ka bashkëpunim relativisht të gjatë me Akademinë Evropiane dhe si anëtar të barabartë të kësaj akademia janë anëtarësuar në vitin 2004. Akademik Islami, tha se ASHAK, ka bashkëpunim shumë të mirë edhe me asociacionet e tjera, qoftë evropiane apo të rajonit, ndërsa vizitën e Kryetarit Stock, e vlerësoj si nxitëse të thellimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit të Akademisë Kosovare me institucionet e tjera ndërkombëtare.
Në fund, Akademik Islami, vlerësoi edhe mbështetjen që ka marrë nga Zëvendëskryeministri Kuçi, veçanërisht lidhur me autonominë dhe pavarësinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës në punën e saj.