
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, me anë të një telegrami urimi, ka uruar z. Nasip Naço, me rastin e dekretimit të tij si Ministër i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë.
Në telegramin e urimit të Ministrit Kuçi thuhet: “Përmes kësaj letre dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia më të sinqerta me rastin e dekretimit tuaj si Ministër i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë.
Ne i gëzohemi marrëdhënieve të shkëlqyeshme dhe bashkëpunimit të gjerë në fusha të ndryshme në mes të dy vendeve tona. Unë jam veçanërisht falënderues për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në mes të ministrive tona dhe besoj që ky bashkëpunim do të vazhdojë dhe do të thellohet edhe më shumë gjatë mandatit tuaj si Ministër i Drejtësisë.
Dëshiroj të shfrytëzoj rastin t’ju shpreh gatishmërinë time dhe të institucionit që unë drejtoj për të vazhduar bashkëpunimin me Ju dhe institucionin që ju drejtoni, jo vetëm në fushat në të cilat tani veçse kemi bashkëpunim, por që lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit të forcohen edhe më shumë përmes të zgjerimit të këtij bashkëpunimi edhe në fusha të tjera.
Unë edhe një herë dëshiroj t’ju përcjell urimet e mia për marrjen e detyrës tuaj të re dhe t’ju dëshiroj shumë suksese gjatë mandatit tuaj si Ministër i Drejtësisë.
Duke mbetur me shpresën për një takim të shpejtë, ju lutem pranoni z. Naço konsideratat e mia më të larta”.