Skip to content
Ministri Kuçi: Vendosni në bazë të ligjit dhe bindjeve tuaja dhe asnjë ndikim nga jashtë

Ministri Kuçi: Vendosni në bazë të ligjit dhe bindjeve tuaja dhe asnjë ndikim nga jashtë

Prishtinë, 05/10/2015

Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Drejtësisë, sot u certifikuan 69 kandidat të cilët kanë dhënë provimin e Jurisprudencës. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Arta Rama-Hajrizi, Kryetari për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, z. Fejzullah Hasani, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Enver Peci dhe Kryeprokurori i Shtetit, z. Aleksandër Lumezi.

Gjatë fjalës së tij, Ministri Kuçi theksoi se këta kandidat karrierën e juristit e fillojnë që nga fakulteti juridik, por pjekuria institucionale arrihet me dhënien e provimit të Jurisprudencës, provim ky i cili njeh të drejtën e secilit për të qenë gjyqtar, prokuror, avokat dhe një varg lëmive tjera në institucionet e drejtësisë.

Ministri Kuçi tha se kandidatët që kanë dhënë provimin e Jurisprudencës i kanë hapur dyert vetës që të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, sistem ky i ndërtuar me ligje të standardeve ndërkombëtare dhe që janë funksionale në Kosovë.

“Ne kemi obligim të mbështesim drejtësinë dhe njerëzit e saj si bazament për të sotmen dhe të ardhmen e brezave që vijnë. Të mbështeten ata të cilët ecin rrugës së drejtësisë, ata të cilët nuk ndikohen apo korruptohen, që punën e drejtësisë e bëjnë me mendje apo zemër dhe të gjithë ata që i frikësohen padrejtësive”, ka thënë Kuçi.

Ministri Kuçi shtoi se me angazhim në sistemin e drejtësisë do të udhëhiqemi nga tradita juridike dhe modelet e avancuara të botës demokratike ku do të zhvillohet drejtësia për qytetarin në çdo kohë dhe me këtë do të rrisim besimin në drejtësi.

Në fund të fjalimit të tij Ministri Kuçi iu drejtua kandidatëve me mesazhin se tanimë kanë hyrë në një fazë të re të jetës së tyre profesionale dhe ka kërkuar nga ta që në rrugëtimin e tyre të angazhohen për Kosovën e integruar brenda dhe në botën e lirë, në paqe dhe harmoi, ku drejtësia dhe e vërteta janë vlera të cilat na drejtojnë tërë kohën. 

Ndërkaq gjatë fjalës së tij, Kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryetari i Komisionit për dhënien e provimit te Jurisprudencës Z. Fejzullah Hasani duke i uruar suksese dhe avancim të profesionit dhe dijes, shtoi se vetëm me jurist të kualifikuar mund të sigurojmë avancim te mirëfilltë të shtetit të së drejtës në vendin tonë. 

Ndërsa Kryeprokurori Lumezi theksoj se në qendër të vëmendjes së aktivitetit tuaj duhet të jetë pikërisht karriera profesionale në funksion të ligjit, e sot këtë e perceptojnë pa mëdyshje edhe shoqëria civile, mediat por edhe qytetarët e vendit tonë. Ndër të tjera, Z. Lumezi theksoi se sistemi i drejtësisë e ne veçanti sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës ka  nevojë për kuadro të reja profesionale që do të jenë të guximshëm dhe integritet. 

Në fjalën e tij, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor i Kosovës, Z. Peci vlerësojë se provimi i jurisprudencës është njëri ndër provimet më të rëndësishme në karrierën e një juristi. KGJK do të mbështes ndërtimin e themeleve për sundimin e ligjit në vend. Certifikim i këtyre kandidateve sot është i mirëseardhur, ngase Gjykatat kanë nevoje për kuadro të reja. Kryetari Peci i përgëzojë kandidatet duke i ftuar të kontribuojnë në sistemin e drejtësisë në vendin tonë. 

Kryetari i Odës së Avokatëve, z. Ibrahim Dobruna në fjalën e tij para të pranishmeve vlerësojë lart certifikimin e kandidateve të rijnë dhe theksoi se me këtë po shënohet një progres në avancimin e sistemit të drejtësisë në vend.

Foto Galeria

Skip to content