Me rastin e Ditës së Konkurrencës, U. d i Ministrit të Drejtësisë, z. Blerim Sallahu, sot ka marrë pjesë në tryezën “Fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit të Konkurrencës dhe Rregullatorëve të Tregjeve”, ku theksoi rëndësinë e konkurrencës si një mekanizëm që garanton drejtësi dhe transparencë në marrëdhëniet tregtare.
Në fjalën e tij, Sallahu theksoi angazhimin e Qeverisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të krijuar një ambient të drejtë dhe të barabartë për zhvillimin e bizneseve duke veçuar themelimin e Gjykatës Komerciale si një arritje të rëndësishme që ofron mbrojtje më të fuqishme gjyqësore për bizneset.
Po ashtu, U. d Ministri Sallahu foli edhe për reformat e vazhdueshme në sistemin gjyqësor, përfshirë miratimin e Ligjit për Konfliktet Administrative dhe themelimin e Gjykatës Administrative që së shpejti dhe do të luajë një rol kyç në mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe bizneseve në raport me administratën publike.
Krejt në fund, z. Sallahu shprehu vlerësim për punën e Autoritetit të Konkurrencës, duke theksuar se ky institucion luan një rol të pazëvendësueshëm në forcimin e transparencës dhe besimit të bizneseve në Kosovë.