“Shtëpia për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare” në Prishtinë ishte ambienti i radhës i cili u vizitua nga Ushtruesi i Detyrës i Ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, si aktivitet në kuadër të Fushatës Globale “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Atje, ministri Sallahu u mirëprit nga Drejtorja e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelinë Sahiti, Drejtorja e Shtëpisë për persona të moshuar dhe pa përkujdesje familjare, Raze Aliçkaj, stafi tjetër profesional, si dhe nga banorët e shtëpisë.
Gjatë bashkëbisedimit, ministri Sallahu shprehu gatishmërinë e tij dhe të Ministrisë së Drejtësisë për të vazhduar angazhimin për zgjidhjen e secilës sfidë dhe problem gjatë ekzekutimit të detyrave të kësaj shtëpie. Ai vlerësoi lart përkushtimin dhe fisnikërinë e punonjësve të shërbimit administrativ, mjekësor, social e teknik, e cila siç tha ministri, lehtëson jetët e kësaj kategorie të ndjeshme.
Përfaqësuesit e këtij institucioni u shprehën të kënaqur me bashkëpunimin që gëzojnë me instituicionet e tjera, ndërkaq personat e moshuar të cilët janë banorë në këtë shtëpi, ndanë kënqësinë e tyre për vizitën e ministrit Sallahu, teksa biseduan edhe për detaje nga përditshmëria e tyre.